
Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Prokuroria e Prishtinës jep detaje për dy aksionet me të arrestuar, nën dyshimin për "keqpërdorim me subvencione"
Prokuroria Themelore në Prishtinë – Njësiti për Hetimin e Korrupsionit ka njoftuar se më datë 19.12.2024 janë realizuar dy aksione për shkak të dyshimeve të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe mashtrimeve me subvencione, ashtu që nga të dy rastet e ndara me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar tre persona – të gjithë zyrtarë publikë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Njësiti për Hetimin e Korrupsionit, pas informacioneve të pranuara, ka aplikuar masat e fshehta të hetimit me urdhëresë të Gjykatës kompetente, ku ka rezultuar dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale.
“Të pandehurit: N. G., F. M. dhe I. K., me veprimet e tyre kundërligjore, dyshohet se në periudhën kohore 2019-2023, i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të MKRS, në vlerë prej 87,463.00€ (tetëdhjetë e shtatëmijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tri euro).” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se të dyshuarit janë arrestuar, janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën penale “mashtrim me subvencione”.
Në njoftim thuhet se pas intervistimit, ndaj të dyshuarve N. G. dhe F. SH. M. është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa I. K. është liruar në procedurë të rregullt.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri A. M., në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur pozitën e autoritetin e tij zyrtar dhe ka qenë në konflikt interesi. Duke qenë Kryetar i Komisionit për Ndarje të Subvencioneve e ka subvencionuar Klubin Basketbollistik “AS. K”, në të cilin ka qenë themelues nga viti 2012 deri në vitin 2019 dhe vazhdon ta kontrollojë llogarinë e tij bankare. Ashtu që, shumën prej 9,900 euro, me të cilën e ka subvencionuar këtë Klub, e ka tërhequr nga llogaria e tij bankare – krejt këtë duke u ndihmuar nga e pandehura A. A. – po ashtu zyrtare e Komunës së Obiliqit – e cila e ka nënshkruar Raportin përfundimtar të Subvencionimit.
Më tutje, në njoftim thuhet se të pandehurit dyshohen për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për veprën penale “konflikti i interesit”.
Sipas njoftimit, pasi që është intervistuar i pandehuri A. M., me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, ndërkaq e pandehura A. A. është liruar në procedurë të rregullt. Dhe, ndaj të njëjtëve pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë është parashtruar Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.