Prokuroria e Pejës me mbi 4 mijë dosje të ‘veteranëve të rrejshëm’, intervistohet zinxhiri komandues

Në janar të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës kishte deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 8,000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Në kuadër të regjionit të Pejës kishin rezultuar 8 brigada, ndërsa sistemi i aplikacioneve kapte numrin prej 8,000 dosje.

Prej këtij numri Prokuroria e Pejës në afat prej 1 viti ka shqyrtuar mbi 4,000 dosje, ku janë intervistuar aplikuesit, gjersa tani kjo Prokurori do të intervistojë edhe zinxhirin komandues.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e rastit Lumturije Vuçetaj.

“Janë shqyrtuar dosjet e 8 brigadave, ku mbi 4 mijë aplikacione janë shqyrtuar, 2 mijë prej tyre pas vlerësimit janë deleguar në kompetence të Prokurorive tjera”, tha Vuçetaj.

Prokurorja deklaroi se tash pas përfundimit të kësaj faze, do të procedohet  me intervistim të zinxhirit komandues, nënshkrimet e të cilëve figurojnë në aplikacione.

KALLXO.com e ka monitoruar në vazhdimësi këtë proces.

Në kuadër të kësaj dosje janë parashtruar 43 kallëzime penale, qe kanë rezultuar me mbi 40 aktakuzave.

Personat e akuzuar është konstatuar se kanë fituar statusin e veteranit luftëtar në mënyrë të kundërligjshme duke marrë pensione të veteraneve, e rrjedhimisht duke dëmtuar buxhetin e Republikës se Kosovës.

11 aktakuza kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, gjersa priten të zhvillohen seancat gjyqësorë për rastet e tjera.

Gjykata e Pejës ka obliguar personat e akuzuar të kompensojnë edhe dëmin material të shkaktuar Buxhetit të Kosovës.