
Prokuroria e Pejës kërkon paraburgimin për drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Klinës
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës, Lorenc Marleku është i dyshuari i radhës nga Prokuroria e Pejës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dje KALLXO.com ka raportuar se Marlekaj është arrestuar, pas një aksioni të Prokurorisë së Pejës lidhur me gjetjen e provave për dyshimet rreth keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ndërtimeve pa leje.
Ai së bashku me Ali Gashin dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit, në Komunën e Klinës.
Dyshohet se të pandehurit kanë lëshuar leje ndërtimore për “rindërtim”, e që në fakt ajo ka qenë leje për “mbindërtim”, kategori e cila nuk parashihet me Ligjin për Ndërtim dhe e njëjta thuhet se është lëshuar në bazë të Planit Zhvillimor Komunal Klina, plan ky që është aprovuar më 2021, e për të cilin plan nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk janë aprovuar Hartat Zonale.
Nga një postim në Facebook, të bërë nga faqja e kompanisë “Elita Residence”, thuhet se është parë objekti me etazhitet më të lartë se sa kushtet dhe leja që kishte, respektivisht me etazhitet i cili është lejuar më pas më 2021, me lejen për mbindërtim.
Ngjashëm kishte publikuar në Facebook dhe kompania “Intering” për kompleksin Guri-Klinë, dy objekte që ishin ndërtuar me etazhitet më të lartë se sa kishin leje.
Me vendimin e datës 12 korrik 2019, i pandehuri Marleku i kishte lejuar kompanisë “Elita Residence” që të afrojë objektin, në distancë prej 20 metrash largësi nga vija hekurudhore Klinë-Prizren, ndërsa më 22 prill 2020 Marleku kishte nxjerrë vendim mbi ndryshimin e vendimit paraprak, duke ulur distancën e largësisë nga vija hekurudhore në 17 metra largësi.
E këto veprime dyshohet se i ka bërë, pavarësisht Ligjit për Hekurudhat e Kosovës, i cili përcakton se distanca e nevojshme për ndërtimin e objekteve të banimit, në afërsi të trenit duhet të jetë në distancë prej 25 metrash.
Arrestohet drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës Lorenc Marleku