Gazmend Muhaxheri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokuroria e Pejës hap rast nën dyshimet për keqpërdorim të parasë publike në Komunën e Pejës

Prokuroria e Pejës me vetiniciativë, ka hapur rast nën pretendimin për keqpërdorim të parasë publike në Komunën e Pejës.

Këtë e ka konfirmuar, për KALLXO.com, zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Prokurori i Shtetit me vetiniciativë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave lidhur me pretendimet se ka pasur keqpërdorim të parasë publike nga Komuna e Pejës. Pas grumbullimit të informatave nga njësitet përkatëse policore, Prokurori i shtetit do vlerësoj se për rastin konkret, a ka elemente të ndonjë vepre penale”, tha Nikçi.

Rasti është iniciuar pas një postimi të Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Pejë.

Këta të fundit kanë shfaqur për publikun një kontratë të lidhur mes Komunës së Pejës dhe “BK CONSTRUCTION SHPK”, që sipas tyre kjo kompani ka për pronar Besnik Muriqi, vëlla i Suzana Muriqit, drejtoreshë për Integrime dhe Diasporë në Komunën e Pejës.

“Kontrata ka të bëjë me ndërtimin e punëtorive në SH.M.L.T “Shaban Spahija” në Pejë ku çmimi total i punëve arrin shifrën 216,089,00 euro. Mjafton një hulumtim i thjeshtë për ta kuptuar që paraja publike në komunën e Pejës përfundon në xhepat e pushtetarëve” thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri ka reaguar lidhur me këto akuza.

“Fillimisht, ‘Nomma Studio L.L.C’ në të cilën është pronar z. Granit Avdimetaj, pa asnjë cent e ka punuar projektin për ndërtimin e punëtorive në shkollën “Shaban Spahija”. Pikërisht, djali i drejtorit për Arsim, z. Besim Avdimetaj, të cilin e shfrytëzoj rastin ta falënderoj publikisht për donacionin. Njëherësh, janë të mirëseardhur të kontribuojnë njëjtë të gjithë të interesuarit dhe dashamirët e komunës tonë”, ka shkruar Muhaxheri.

Sa i përket tenderit, Muhaxheri ka sqaruar se autoriteti kontraktues nga Komuna e Pejës ka hapur tenderin në sistemin e-Prokurimi në mënyrë transparente, ku sipas tij projekti është ndarë në dy LOT-e, dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë operatorët ekonomik të cilët janë të regjistruar dhe që i posedojnë dokumentet përkatëse.

Tutje ai ka dhënë detaje për dy LOT-et.

“LOT I: Personi në fjalë, z. Kreshnik Muriqi është pronar i kompanisë “BK Construction SHPK”, i cili ka ofertuar me ofertën e tij: 216,089.00€, kurse vlera e parashikuar ka qenë: 307,769.10€ – do të thotë: 91,680.00€ më lirë. Mbikëqyrjen e këtij projekti e ka nëpunësi zyrtar i Komunës së Pejës, z. Dardan Muhaxheri. Kurse, z. Besnik Muriqi në këtë kompani është vetëm punëtor, kurse pronari nuk është vëllai i Drejtoreshës për Mirëqenie Sociale, znj. Suzana Muriqi”, ka thënë Muhaxheri për çështjen.

“LOT II: Për projektin e dytë të punës finale, operatori fitues është z. Ermal Dinaj, i cili ka ofertuar me ofertën e tij: 75,548.50€, kurse vlera e parashikuar ka qenë: 114,620.00€ – do të thotë: 39,072.00€ më lirë. Po ashtu, edhe te ky projekt mbikëqyrës është nëpunësi zyrtar i Komunës së Pejës, z. Dardan Muhaxheri” ka shtuar tutje Muhaxheri.