Foto: Ilustrim

Prokuroria e Pejës: Djali i Ilir Shaqirit u lirua me autorizim të Kryeprokurorit

Përmes një përgjigje zyrtare, Prokuroria e Pejës ka dhënë për KALLXO.com, detaje lidhur me lirimin e pronarit të kompanisë “Aztech”, në Pejë.

Në përgjigjen e pranuar thuhet se pas rishqyrtimit të vendimit mbi ndalim e pronarit të kompanisë “Aztech”, Gojart Shaqiri, dhe pas vlerësimit të urdhëresës së Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Prokuroria ka konstatuar se kompania në fjalë e ka të lejuar ushtrimin e veprimtarisë.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës pas vlerësimit të urdhëresës të lëshuara nga MEPTINIS, me datën 20.03.2020 me nr. ref. 01/04, sa i përket pikave 3 dhe 11 të kësaj urdhërese, kemi konstatuar se të njëjtat janë kundërthënëse në mes vete sa i përket veprimtarive tregtare dhe shërbyese e që në rastin konkret edhe tek dyqani i të dyshuarit nëse hyn në kuadër të kësaj kategorie, e të cilat gjithnjë sipas urdhëresës në fjalë, në përputhje me pikën 11 të saj janë lejuar të ushtrojnë veprimtaritë e tyre duke i zbatuar masat mbrojtëse nga pikat në këtë urdhëresë”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Prokuroria e Pejës.

Pas vlerësimit të kësaj urdhërese, është thënë se Gojart Shaqiri është liruar me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj.

“I dyshuari me pas me autorizim për lirim nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës është liruar në procedurë të rregullt. Kjo për faktin se kemi konfuzitet në mes dispozitave të përshkruara si më lart dhe duke u bazuar në parimin ‘in dubio pro reo’ dhe me qëllim që eventualisht të mos shkelen të drejtat e të dyshuarit, kjo rrethanë në këtë fazë është interpretuar në favor të të dyshuarit dhe referuar edhe urdhëresës së ministrisë në fjalë, e cili është nxjerr me datën 23.03.2020, pak para lirimit të dyshuarit nga ndalimi kemi ardhur në përfundim që të gjitha ndalimet në raport me veprimtaritë e tilla tregtare deri me këtë datë kanë qenë të lejuara”, thuhet më tej në këtë përgjigje.

Sipas kësaj përgjigje është thënë se i dyshuari Gojart Shaqiri është liruar në procedurë të rregullt dhe se për veprimet e mëtutjeshme procedurale do të mbetet në vlerësimin e Prokurorisë.

Gjatë ditës së sotme në një prononcim për KALLXO.com, prokurorja e këtij rasti kishte deklaruar se ajo nuk kishte lëshuar asnjë vendim mbi lirimin e të dyshuarit në fjalë, madje ajo kishte thënë se qëndron prapa vendimit për ndalim të të dyshuarit, pasi që sipas saj në veprimet e të njëjtit ka elemente të veprës penale.

Në anën tjetër pronari i kompanisë “Aztech”, përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka deklaruar se i njëjti është liruar, pasi që sipas tij kishte ndodhur një keqinterpretim rreth interpretimit të urdhëresës së Ministrisë dhe pas sqarimit i njëjti është lënë i lirë.

KALLXO.com raportoi dje për arrestimin e pronarit të kompanisë “Aztech” në Pejë, i cili sipas Prokurorisë u arrestua nën dyshimin se ka vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me masat për parandalimin e coronavirusit.

Sipas burimeve të KALLXO.com i dyshuari është djali i këngëtarit Ilir Shaqiri, Gojart Shaqiri.

Sipas informacioneve të dyshuarit i ishte mbyllur lokali nga inspektorët, por ai e kishte hapur përsëri pas dy ditësh.