Objekti, FOTO KALLXO

Prokuroria e Apelit kërkon nga Gjykata e Apelit të urdhërojë rrënimin e objektit pa leje në Parkun Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale, ku Mahir Shala nga kompania ndërtuese ‘INTERN INVESTMENT GROUP’, me seli në Pejë, ka ndërtuar objekt hotelier në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, pa pasur leje për të ndërtuar.

Objekti i kategorisë se lartë i ndërtuar në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ku janë investuar shuma të mëdha parash, pas përfundimit të ndërtimit ka rezultuar të jete pa leje ndërtimi.

Gjykatësi i shkallës së parë Murat Hulaj nuk vendosi për rrënimin e këtij objekti pa leje edhe pse Prokuroria e Pejës kishte propozuar rrënimin e tij pasi ka rezultuar pa leje ndërtimi.

Prokurore e rastin në këtë çështje është Suada Hamza.

“Gjykata propozimin e prokurores së shtetit të dhënë në seancën e shqyrtimit fillestar, për rrënimin e objektit në kuptim të nenit 359 par 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e analizoj dhe vlerësoj dhe gjeti se: Një propozim i tillë është i pa bazuar, me arsyetimin se në dispozitivin e aktakuzës mungojnë prova me të cilat do rezultonte se në cilën ngastër ndodhet objekti, kjo ngastër në emër të kujt evidentohet, në cilën pjesë të ngastrës ndodhet objekti, cilat janë dimensionet e objektit, në cilin nivel është puna e ndërtimit të objektit, andaj një propozim të tillë gjykata e refuzoj si të pa bazuar, për arsye se një vendim i tillë duhet të jetë dhe i përmbarushëm në të ardhmen dhe jo vetëm të mbetet vetëm vendim në letër”, ishte arsyetimi i gjykatës në aktgjykimin për këtë çështje.

Pas parashtrimit të ankesës nga ana e Prokurorisë së Pejës, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Prokurorisë si të bazuar duke kthyer çështjen në rigjykim.

“Prokurori i Apelit me parashtresën me shkrim PPA/II.nr.826/2020, te datës 02 .09.2020, ka propozuar që ankesa e prokurorit të aprovohet si e bazuar, aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe ndaj të akuzuarit t`i shqiptohet dënim më i rëndë dhe të urdhërohet rrënimi i objektit pa leje”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Njëzet e dy organizata Joqeveritare në Kosovë kanë reaguar publikisht për vendimin e Gjykatës së Pejës me të cilin pronari i kompanisë “Intern Invesment Group” është dënuar vetëm me gjobë për ndërtimin e hotelit në Parkun e Bjeshkëve të Nemuna.

Reagimi shpreh pakënaqësinë e OJQ-ve për vendimin e gjykatës së shkallës së parë i cili nuk urdhëron rrënimin e hotelit disa katësh, ndërsa i bën thirrje Gjykatës së Apelit që gjatë trajtimit të kësaj lënde të zbatoj ligjin i cili kërkon që objektet pa leje të rrënohen.

Reagimi i plotë o OJQ-ve:

Kundër standardit të krijuar nga Gjykata e Pejës për rrënimin e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Bjeshkëve të Nemuna.

Parku Nacional i Bjeshkëve të Nemuna është i mbrojtur me ligj të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në këtë zonë për vite janë ndërtuar objekte në kundërshtim me ligjin, përfshirë këtu edhe hotelin disakatësh me pronar Mahir Shalën.

Për fat të keq, institucionet e vendit përveç se nuk po arrijnë të ndalin ndërtimin, nuk po arrijnë as t’i implementojnë obligimet ligjore për rrënimin e tyre.

Në zonën e mbrojtur të Bjeshkëve të Nemuna, biznesmeni Mahir Shala ka ndërtuar një hotel pesëkatësh i cili në tërësinë e tij nuk ka asnjë leje apo pëlqim mjedisor.

Më 17 qershor, Gjykata e Pejës e dënoi me vetëm 2,500 euro gjobë pronarin e kompanisë “INTERN INVESTMENT GROUP” dhe injoroi plotësisht obligimin ligjor dhe kërkesën e prokurorisë që të rrënohen ndërtimet ilegale në zonat e mbrojtura.

Organizatat e Shoqërisë Civile e kanë mirëpritur ngritjen e aktakuzës nga ana e Prokurorisë së Pejës dhe propozimin e fundit që krahas dënimit të urdhërohet edhe rrënimi i hotelit pasi kështu kërkohet me nenin 359 të Kodin Penal të Kosovës.

Sipas Kodit Penal, Gjykata duhet të vendosë për rrënimin e objekteve në zonat e mbrojtura në momentin kur është konstatuar se ato kanë ndodhur.

Gjykata e Pejës e ka pasur të pakontestuar faktin se ndërtimi është pa leje për faktin se edhe pronari e ka pranuar këtë para gjykatës.

Duke injoruar obligimin ligjor të paraparë me nenin 359, Gjykata e Pejës ka vendosur që vetëm ta dënojë me gjobë të akuzuarin ndërsa ka refuzuar rrënimin e hotelit.

Për organizatat e shoqërisë civile, vendosja e një precedenti të tillë ku ndërtuesit ilegalë dënohen me gjoba dhe objektet e tyre nuk rrënohen paraqet një precedent të rrezikshëm për të gjitha ndërtimet e tjera në këtë zonë dhe paraqet një shmangie prej obligimit ligjor të cilin e parasheh Kodi Penal i Kosovës.

Duke e parë këtë situatë, OJQ-të kërkojnë menjëherë nga Gjykata e Apelit që ta përmirësojë këtë standard të krijuar nga Gjykata e Pejës ndërsa nga Gjykata Supreme nxjerrjen e një qëndrimi juridik lidhur me këtë situatë.

OJQ-të e inkurajojnë Prokurorinë e Pejës që të kërkojë që edhe ndërtime të tjera ilegale të kryera në këtë zonë të trajtohen njëjtë dhe me prioritet maksimal.

Njëkohësisht ju vëmë në dijeni se vendimi i gjykatës së Pejës për të mos lejuar monitorimin e këtij procesi me arsyetimin se jemi në kohën e pandemisë është vendim i pajustifikueshëm për shkak se gjykatat tashmë i kanë lehtësuar masat mbrojtëse si dhe cenon parimin e publicitetit dhe transparencës në sistemin e drejtësisë.

Organizatat e shoqërisë civile i rikujtojnë sistemit të drejtësisë se parimi i publicitetit është njëri nga parimet themelore të sistemit të drejtësisë dhe si rrjedhojë edhe gjatë kohës së pandemisë duhet të sigurohet qasje për publikun në procese të një rëndësie kaq të madhe.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.