Ilustrim

Prokuroria: Dy gjilanas ia ofruan gjakovarit vajzën e mitur për prostitucion

Dy gjilanas po akuzohen nga Prokuroria në këtë qytet për prostitucion ndaj një  vajze të mitur.

Sipas aktakuzës, R.M. dhe E.K.,  në bashkëveprim, kanë rekrutuar, organizuar dhe ndihmuar të dëmtuarën e mitur nën moshën 18 vjeçare, për qëllime të prostitucionit.

Siç është përshkruar në aktakuzë, dy gjilanasit me veturë e kanë dërguar të njëjtën në një motel në Gjilan, me qëllim që të kryente marrëdhënie seksuale me një person të tretë nga Gjakova, sipas marrëveshjes paraprake për kundërshpërblim prej 100 euro.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre dy personave për veprën penale mundësimi ose detyrimi në prostitucion.

“Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve R.M. dhe E.K., për shkak të veprës penale për mundësim ose detyrim në prostitucion”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, sipas aktakuzës, pas kryerjes së aktit, i njëjti kishte refuzuar që të miturës t’ia japë të hollat, për çka e njëjta përmes telefonit e kishte njoftar të pandehurin R.M., i cili së bashku me të pandehurin tjetër F.M., e kishin ndalur këtë person në oborrin e motelit dhe ia kishin marrë të hollat, të cilat pastaj nuk ia kishin dhënë të dëmtuarës së mitur.

Të pandehurit R.M. dhe E.K., me kërkesë të prokurorisë, gjenden në masën e paraburgimit që nga data 3 dhjetor 2019.