Foto: KALLXO.com

Prokuroria akuzon për fajde pronarin e 'Baron'-it në Prishtinë

Në gjykimin e të akuzuarve për fajde, në mesin e të cilëve është edhe pronari i restorantit “Baron” në kryeqytet, në Gjykatën e Prishtinës sot është dëgjuar dëshmia e gruas së të dëmtuarit – Arton Shala, i cili kishte marrë para me fajde.

Dëshmitarja Vjosa Shala rrëfeu se si fajdexhinjtë i shkonin në banesë për t’i kërkuar paratë.

Ajo tha se fajdexhinjtë kishin shkuar në banesë ku ishin vetëm fëmijët e tyre.

Më tej tregoi se ata e kishin ofenduar me fjalë të ndryshme, e kishin shqetësuar në orë të vona të natës, e kishin kërcënuar që do të largonin nga banesa si dhe i kishin kërkuar para.

E pyetur nga Vehbi Ismaili, avokati i të akuzuarit Afrim Borovci, se pse nuk e ka lajmëruar rastin në Polici gjatë kësaj kohe, ajo u përgjigj se bashkëshorti i kishte thënë: “Nuk ke çka i bon se ata janë të lidhur edhe me Polici, se Afrimi aty e ka djalin e axhës ose axhën“.

Mirëpo, sipas saj, më vonë, pas diskutimeve të shumta me bashkëshortin, kishin ardhur në përfundim që ai të shkonte vetë në Polici.

E pyetur rreth transferit bankar prej 48 mijë eurosh që Afrim Borovci kishte bërë në llogarinë e saj, ajo tha se nuk e ka shikuar se kush i ka deponuar, vetëm ka tërhequr para kur i ka thënë bashkëshorti i saj, ngase nuk ka pasur dyshim në të.

I akuzuari, Afrim Borovci, që është pronari i lokalit “Baron” në Pallatin e Rinisë në kryeqytet, deklaroi se ka marrë kredi për t’ia dhënë hua paratë Arton Shalës.

Afrim Borovci, Adem Grashtica, Gëzim Alija dhe Artan Sejdija akuzohen se kanë kryer veprën penale të fajdesë, kështu duke kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, Arton Shalës.