Prokurori rikualifikon veprën penale ndaj ish-drejtorit të NLB-së

Prokurori Arian Gashi ka vendosur që t`ia rikualifikojë veprën penale ish drejtorit të akuzuar Bankës NLB, Smajl Rudarit.

Prokurori i shtetit, Arian Gashi në fjalën e tij deklaroi se nga administrimi i provave  në këtë çështje juridiko-penale, u vërtetua fakti se i pandehuri Ismajl Rudari në cilësi të personit përgjegjës të dëmtuarës ish-Kasa Bankës- Dega në Lipjan, tani të dëmtuarës NLB me seli në Prishtinë në periudhën kohore sikur është cituar në dispozitivin e aktakuzës në fjalë, i njëjti ka lidhur kontrata me dashje për të cilat  e ka ditur se kanë qenë të dëmshme për organizatën ku i njëjti qenë i punësuar dhe ka lidhur kontrata të dëmshme për huadhënie të kredive me kompanitë private.

Si rezultat i të cekurave më lartë, prokurori i shtetit Arian Gashi bëri rikualifikimin e veprës penale nga përvetësimi në detyrë në veprën penale të lidhjes se kontratës së dëmshme, me arsyetimin se në rastin konkret në veprimet e të pandehurit Ismajl Rudari, formohen të gjitha elementet e veprës penale të penale së kësaj vepre të  rikualifikuar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Rudari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në periudhën kohore prej 01.02.2003 në vazhdimësi deri me datën 21.11.2005, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i ekspoziturës së bankës NLB Sh.a. – Prishtinë, (ish Kasabanka KSB) Dega në Lipjan, Ismajl Rudari ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë Rudari ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me kompanitë private NTPSHP “Beargo” me seli në Pejë, në vlerë prej 159,193,83 euro, NTP “Irsija-Cos”, me seli në Lipjan, në vlerë prej 8,169.04 euro, NB”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15,692.85 euro, NT “Xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e madhe-K Fushë Kosovë, në vlerë prej 91,013.69 euro, NTP “Altini Comerc” me seli në Lipjan, në shumë prej 30,747.15 euro dhe NTP “Elektro Vali” me seli në Lipjan, në vlerë prej 6,604.16 euro, me ç’rast të dëmtuarës NLB Bank Sh.a. – Prishtinë, i ka shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme prej 305,420.71 euro.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Ismajl Rudari, i cili zgjodhi që të mbrohet në heshtje, nën akuzat nga prokuroria për përvetësim në detyrë në shumën prej 305,420.71 euro.

I akuzuari Rudari, gjatë seancës së shqyrtimit të sotëm gjyqësor, shfrytëzoi të drejtën e mbrojtjes  në heshtje,  meqenëse sipas tij, ai ishte deklaruar edhe në seancat e mëparshme duke mbetur në tërësi pranë thënieve në seancat e kaluara. Gjykimi vazhdoi pastaj me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët.

Fjala përfundimtare u dha edhe nga autorizuesja e palës së dëmtuar, Erina Gashi e cila theksoi i akuzuari Ismajl Rudari me veprimet e tij të kundërligjshme i ka shkaktuar dëm material dhe moral palës së dëmtuar, NLB Bank-ës, dhe se ndërlidhur me këtë, paraqet kërkesën pasurore juridike në shumë prej 311,420.72 euro, me kamatë ligjore prej datës së paraqitjes së kallëzimi penal për dëmin që i akuzuari ia ka shkaktuar bankës.

Radhën për ta dhënë fjalën përfundimtare e kishte mbrojtësi i të akuzuarit Ismajl Rudari, avokati Naser Sopjani, por meqë prokurori i shtetit kishte bërë rikualifikimin e veprën penale nga përvetësimi në detyrë në lidhje të dëmshme të kontratës, avokati Sopjani kërkoi nga gjykate që t`i jepej kohë shtesë në përgatitjen e fjalës përfundimtare.

“Kërkojmë nga ana e gjykatës që të na jep një afat shtesë, për ta përgatitur fjalën përfundimtare, për shkak se kemi të bëjmë me një ndryshim të dispozitivit të aktakuzës si nga përshkrimi faktik ashtu edhe nga ricilësimi juridik, andaj kërkojmë afat shtese për këtë çështje, që të shtyhet kjo seance, për ndonjë ditë tjetër”, shtoi avokati Naser Sopjani.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktua më 27.2.2020, në ora 9:00.

Avokati kishte rast vdekje, dështon seanca ndaj ish-drejtorit të NLB-së Ismajl Rudari

.