Foto: Kallxo.com

Prokurori në izolim, dështon gjykimi për organizim të grupit kriminal

Gëzim Abazi dhe Lutfi Nebiu janë ulur sot në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila i ngarkon ata me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale dhe shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve por seanca ndaj tyre dështoi të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e Prokurorit të Prokurorisë Speciale Haki Gecaj, i cili ndodhej në vetizolim për shkak të pandemisë.

“Përmes e-mailit jemi njoftuar nga Prokurori Haki Gecaj i cili ka thënë se është vetizoluar deri të testohet për virusin COVID-19. Gjithashtu anëtari i trupit gjykues Agim Ademi pasi është njoftuar se nuk do të jet Prokurori në seanc është larguar nga Gjykata për shkak të disa obligimeve familjare”, tha Zyhdi Haziri, kryetar i trupit gjykues.

Në këtë rast akuzoheshin Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, Fatos Ahmeti, Gëzim Abazi, Fatmir Statovci, Zeqir Berisha, Lutfi Nebiu dhe Amir Sherifi (i cili gjendet në arrati).

Gëzim Abazi akuzohet për shkak të veprës penale, ndihma në kryerjen e veprës penale (blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve apo substancave psikotrope), kurse Lutfi Nebiu akuzohet për shkak te veprës penale dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Lidhur me këtë çështje Gjykata e Gjilanit kishte vendosur më 16 korrik 2019.

Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, Fatos Ahmeti, Gëzim Abazi, Fatmir Statovci dhe Zeqir Berisha më 16 korrik 2019 ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Gjilanit.

Të akuzuarit Afrim Luma, Ramadan Hyseni, Fehmi Gashi, akuzoheshin për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi ose shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.

Të akuzuarit Afrim Luma dhe Ramadan Hyseni ishin dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 11 vjet si dhe dënim me gjobë në shumë prej 50 mijë euro.

I akuzuari Fehmi Gashi ishte dënuar me 8 vjet burg, dhe dënim me gjobë në shumë prej 20 mijë euro.

I akuzuari tjetër Fatos Ahmeti, i cili akuzohej për veprën penale blerja, shpërndarja, posedimi ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet dhe dënim me gjobë në shumën prej 10 mijë euro.

Më tutje, i akuzuari Gëzim Abazi, i cili akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet si dhe dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

Gjithashtu, të akuzuarit Fatmir Statovci, Zeqir Berisha që akuzoheshin për ndihmë në kryerjen e veprës penale u dënuan me burg, ashtu që Fatmir Statovci me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 vjet, ndërsa Zeqir Berisha me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti.

Ky shqyrtim gjyqësor ka nisur nga fillimi, pasi Gjykata e Apelit më 27 dhjetor 2019, e kishte kthyer lëndën në rigjykim sa i përket të akuzuarve Gëzim Abazi dhe Lutfi Nebiu, kurse për të akuzuarit tjerë, aktgjykimi i Gjykatës se Gjilanit ishte vërtetuar.

Seanca që është dashur të mbahet sot u shty për 20 korrik.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje.