Prokurori kërkon dënimin e Agron Mustafës, Rexhë Gjonbalajt dhe Ejup Qerimit në rastin e PTK-së

Në gjykimin e ish-kryeshefave të PTK-së Ejup Qerimi, Agron Mustafës dhe ish-kryetarit të Bordit të Telekomit Rexhë Gjonbalaj u dha fjala përfundimtare.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, fjalën përfundimtare e kishte përgatitur me shkrim.

Në fjalën e tij para trupit gjykues Abazi, tha se gjatë seancës janë vërtetuar pretendimet e Prokurorisë Speciale se PTK-ja është dëmtuar me 32 milionë euro.

Sipas prokurorit Abazi tërë këto veprime të ndërmarra nga të akuzuarit kanë pasur dy qëllime dhe atë përfitimin e dobisë pasurore të ndonjë personi tjetër dhe sjelljen në prag falimentimi të PTK –së.

Për fund, prokurori kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Nga ana tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Ejup Qerimi, avokati Fanol Krasniqi, tha se fjalën përfundimtare e kishte përgatitur me shkrim dhe të njëjtën nuk e elaboroi para trupit gjykues.

Ndërsa vetë i akuzuari Ejup Qerimi, u pajtua  në tërësi  me fjalën e mbrojtësit të tij dhe u deklarua përsëri i pafajshëm, si dhe shtoi se prokurori gjatë gjithë procedurës nuk është thirrur në asnjë ligj dhe për të është e mjaftueshme për hedhjen e aktakuzës.

‘’Unë nuk jam jurist por e kuptoj që duhet me shkel ndonjë ligj për me kry veprën penale’’, tha i akuzuari Ejup Qerimi.

“Tutje në fjalën përfundimtare prokurori e ka ndryshuar palën e dëmtuar sepse deri tash në aktakuzë palë të dëmtuar e ka prezantuar Milot Gjikollin dhe Blerim Devollin, ndërsa tash e përmend PTK-në Sh. A. si palë e dëmtuar, ku shihet se prokurori nuk e ka kuptuar aktakuzën që e ka përpiluar kolegu i tij Abdurrahman Islami”, tha Qerimi.

‘’Përfundimisht deklarohem se jam i pafajshëm dhe kam përvojë të gjatë në institucione publike dhe private në pozita të larta menaxheriale dhe asnjëherë nuk kam qenë i akuzuar dhe i dënuar për 35 vite përvojë pune’’, deklaroi për fund i akuzuari Ejup Qerimi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agron Mustafa, avokati Rinor Kastrati, fjalën përfundimtare e paraqiti me shkrim.

Gjatë fjalës së tij tha se ky shqyrtim gjyqësor vetëm e ka vërtetuar aktvendimin e kryetarit të trupit gjykues për hedhjen e aktakuzës për shkak të mungesës së provave të cilat do të vërtetonin dyshimin e bazuar se Agron Mustafa ka kryer veprën me të cilën ngarkohet.

Tutje avokati Kastrati tha se nuk është vërtetuar as dashja për t’i shkaktuar dëme kompanisë ‘Z Mobile’, andaj kërkoi nga trupi gjykues që Agron Mustafa të lirohet së bashku me të akuzuarit e tjerë nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhë Gjonbalaj, avokati Beki Bokshi fjalën përfundimtare e paraqiti me shkrim.

Avokati Bokshi tha se “Kjo aktakuzë nuk është argumentuar në këtë shqyrtim gjyqësor, se e njëjta bazohet në portale dhe media, andaj gjykata duhet të nxjerrë vendim me të cilin do të lirohen nga akuza Rexhë Gjonbalaj dhe të akuzuarit e tjerë”..

Ndërsa i akuzuari Rexhë Gjonbalaj, deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

“Për mua është e paqartë që akoma prokurori nuk i ka lexuar apo nuk do t’i interpretojë ligjet me të cilat punon Bordi i Drejtorëve, prokurori më identifikon mua me vetë Bordin’’, tha Gjonbalaj.

‘’Nga gjykata pres që të marrë vendimin e merituar dhe të lirohem nga akuza”, tha i akuzuari’’ Gjonbalaj.

Ky proces gjyqësor është udhëhequr nga trupi gjykues në përbërje nga Lutfi Shala, kryetar dhe Nushe Mekaj Kukaj e Agim Kuçi, anëtarë.

Ejup Qerimi akuzohet se si kryeshef ekzekutiv i PTK-së, gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Poashtu edhe Agron Mustafa, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.

Ndërsa i akuzuari  i tretë  Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër.