Prokurori kandidat për anëtar të KPK-së, dështon seanca ndaj të akuzuarve për falsifikimin e lejeve të armëve

Seanca ndaj të akuzuarit Atdhetar e Hashim Rexhepi dhe Qëndrim Veselaj të akuzuar për falsifikim të lejeve për armë ka dështuar të mbahet.

Shkaku i mos mbajtjes së kësaj seancë ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues Suzana Cerkini dhe prokurorit Shkëlzen Ibrahimi.

Kryetarja e trupit gjykues i njoftoi palët se gjykatësja Cerkini për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë prezente sot, kurse e njëjta tha se prokurori Ibrahimi e ka njoftuar Gjykatën se gjendet në Këshillin Prokurorial ku po bëhej përzgjedhja e anëtarëve të këtij këshilli.

“Anëtarja e trupit gjykues Suzana Cerkini për shkaqe shëndetësore nuk është e pranishëm, mungon edhe prokurori i shtetit Shkëlzen Ibrahimi, i cili ka qenë i detyruar që sot të jetë në Këshillin Prokurorial për zgjedhjen e anëtarit të Prokurorisë Themelore”, tha gjykatësja Hyseni.

Në mungesë të kushteve ligjore kryetarja e trupit gjykues seancën e radhës e caktoi për datë 30 nëntor.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2016/17 i akuzuari Atdhetar Rexhepi ka përpiluar dokumente publike false që ruhen në bazë të ligjit, duke falsifikuar plotësisht lejet për armëmbajtje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Rexhepi ka shënuar në dosje të dhënat e nevojshme të personave, Hashim Rexhepi, Flakron Maqani e Fitim Imeri, të cilat leje nuk i plotësojnë tiparet e sigurisë sipas teknologjisë standarde dhe janë printuar në teknikën “elektrofotografi” që nuk kanë pasur reaksion nën rrezet UV dhe nën rrezet IK.

Sipas Prokurorisë, po ashtu nuk janë respektuar procedurat për lëshimin e lejeve për armëmbajtje të përcaktuara me dispozitat e Ligjit për Armë dhe rregulloren për armëmbajtje në Republikën e Kosovës.

I njëjti akuzohet se pastaj ka rregulluar edhe tri leje të tjera për armëmbajtje në emër të personave tjerë fizikë, si Jahir Krasniqit, Selman Maqanit e Qëndrim Veselit, leje këto kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Me anë të paraqitjes së rreme të fakteve të përshkruara më lartë, sipas Prokurorisë, i akuzuari Atdhetar Rexhepi gjatë viteve 2016/17 ka vënë në lajthitje personat Flakron Maqani, Fitim Imeri, Jahir Krasniqi, Selman Maqani dhe Qëndrim Veselaj, duke i nxitur të njëjtit që në dëm të pasurisë së tyre t’i japin veç e veç nga pesë mijë euro kinse për t’i pajisur me leje legale për armëmbajtje.

Kurse babai i të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, i akuzuari tjetër Hashim Rexhepi  akuzohet se si drejtor i “Fazani” Sh.P.K. nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitojë i akuzuari Atdhetar Rexhepi.

Sipas Prokurorisë duke mos e penguar atij i ka lejuar dhe mundësuar që të ndërmjetësojë midis “Fazani” Sh.P.K. me persona fizik për të kryer shërbime për blerje, shitje dhe furnizim me armë dhe leje për armëmbajtje i cili nuk ka pasur asnjë pozitë në këtë kompani dhe kështu ka kontaktuar me personat e lartcekur të cilët i ka mashtruar.

Dhe, për pasojë, sipas aktakuzës,ua ka kërkuar dhe marrë lejet për armë bashkë me armët e përshkruara më sipër të cilat nuk ua ka kthyer si dhe dosjen e aplikimit për armë në emër të Festim Lushtakut, të cilat kanë qenë në portofolin e të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, të cilin portofol e ka mbajtur i akuzuari Hashim Rexhepi në rrobat e veta që janë gjetur gjatë kontrollimit të përkohshëm të shtëpisë së të pandehurve.

Kurse i akuzuari i tretë, Qëndrim Veselaj, sipas Prokurorisë, në cilësi të dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rreme ashtu që në fillim të vitit 2016 në deklaratën me shkrim të dhënë në MPB ka deklaruar se kinse ‘ju ka humbur leja për armëmbajtje që e kishte marrë nga i akuzuari Atdhetar Rexhepi dhe dëshiron të pajiset me leje të re për armëmbajtje’ edhe pse në fakt asnjëherë më parë MPB nuk i kishte lëshuar leje të tillë.

Atdhetar Rexhepi nga Prokuroria akuzohet se me veprimet e lartpërmendura ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit, mashtrimit dhe armëmbajtjes pa leje, Hashim Rexhepi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Qëndrim Veselaj për deklarim të rremë.

Të akuzuarit për falsifikimin e lejeve të armëve nuk paraqiten para gjyqit