Arkiv

Prokurori jashtë vendit, shtyhet seanca gjyqësore e Granit Elshanit

 

Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor kundër Granit Elshanit, i akuzuar lidhur me incidentin e janarit të vitit 2010, ku nga plumbat u vra një person e tre të tjerë u plagosën.

Seanca e sotme është anuluar për shkak të mungesës se prokurorit Afrim Shefkiu, i cili e ka njoftuar gjykatën se ndodhet jashtë vendit.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës se Pejës, Tringa Zhuti.

Seancat e radhës janë caktuar më 26 dhe 27 mars 2020, nga ora 10:00.

Anëtari i familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, Graniti, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se më 2 janar të vitit 2010 ishte futur në diskotekën “City Club” në Pejë me qëllim për ta privuar nga jeta për motive të hakmarrjes anëtarin e familjes Kelmendi, Valdet Kelmendin.

Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim, raporton KALLXO.com.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.

Kujtojmë, se Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

KALLXO.COM ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.