Foto: KALLXO.com

Prokurori: Inspektori i Shtimes bëri dy shkelje, i mori para të dëmtuarit dhe lejoi ndërtime pa leje

Në Gjykatën e Ferizajt është dhënë fjala përfundimtare në rastin e inspektorit të ndërtimit të Komunës së Shtimes, Taulant Salihaj, të cilin Prokuroria po e akuzon se mori para nga një qytetar për planet e shtëpive që do të ndërtonte dhe për lejim të ndërtimeve pa leje.

Me këto veprime, Prokuroria po pretendon se i akuzuari ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Prokurori i shtetit, Veton Shabani, fjalën përfundimtare ia dorëzoi me shkrim trupit gjykues të përbërë nga Ibrahim Idrizi, Ilir Bytyqi dhe Fitore Daci.

Megjithatë, ai e elaboroi shkurtimisht përmbajtjen e saj.

Prokurori tha se nga provat e siguruara në fazën e hetimeve, të cilat janë administruar, është arritur të vërtetohet se Taulant Salihaj ka kryer veprën penale.

Sipas prokurorit, si inspektor i ndërtimit në Komunën e Shtimes, Salihaj ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke marrë nga i dëmtuari shumën prej fillimisht 500 euro e pastaj edhe 580 euro për planet e shtëpive të cilat i dëmtuari dëshironte t’i ndërtonte.

Tutje prokurori theksoi se i akuzuari përveç parave sipas detyrës së tij zyrtare ka pasur për obligim t’i ndalojë ndërtimet pa leje.

“Këtu kemi shkelje të dyfishtë, pasi që ka marrë të holla ai dhe ka lejuar të ndërtohen shtëpitë pa leje”, theksoi prokurori Veton Shabani.

Andaj prokurori kërkoi nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ndërsa avokatja e të akuzuarit Taulant Salihaj, Teuta Qaushi, gjithashtu fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe i propozoi Gjykatës që të marrë aktgjykim lirues për të mbrojturin e saj, pasi që sipas saj, ai nuk ka kryer veprën penale.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër.

Taulant Salihaj akuzohet nga Prokuroria se në muajin shtator 2017 dhe në muajin prill 2018 në Shtime, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor ndërtimor në Komunën e Shtimes ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke ia shkelur seriozisht të drejtën personit tjetër, tani të dëmtuarit Haxhi Shabani.

Sipas aktakuzës, Salihaj nga i dëmtuari fillimisht merr shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së parë si dhe 580 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së dytë, me qëllim që t’i rregullojë dokumentet ndërtimore ndërsa e lejon që t’i ndërtojë dy shtëpi pa i pajisur me leje duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare dhe pse detyra e tij ishte për t’i ndaluar ndërtimet pa leje.

Me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 1 mijë e 80 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Sëmuret i akuzuari, dështon seanca për keqpërdorim detyre

www.kallxo.com