Foto: Kallxo.com

Prokurori i sëmurë, zvarritet gjykimi i ‘hakerëve’ nga Gjilani

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar për herë të tretë seanca ndaj të akuzuarve L.I, L.M. dhe L.Sh, të akuzuar për hyrje në sistemet bankare dhe shmangie nga tatimi.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e Prokurorit Arben Kadriu.

Në këtë çështje kishte pasur dështim të seancave edhe më parë sikurse ajo e 28 tetorit të vitit të kaluar e cila kishte dështuar për shkak të mungesës së ekspertit të IT-së dhe tjetra e 6 janarit të këtij viti, e cila kishte dështuar për shkak të mungesës së dëshmitarëve.

“Nuk ka kushte për seancën e sotme pasi që Prokurori i kësaj çështje është i sëmurë nga gripi. Prokurori e ka njoftuar Gjykatën për mungesën e sotme”, tha kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi.

Sipas Prokurorisë, L. I, L.M.dhe L.Sh, akuzohen se nga viti 2007 e deri në gusht të vitit 2015 kishin ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në kompjuterë të shfrytëzuesve të internetit, duke kopjuar dhe vjedhur të dhëna të ndjeshme, përfshirë edhe të dhëna për llogari bankare. Ata akuzohen se nga këto aktivitete kanë përfituar shumën prej mbi 73,000 euro.

Po sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë kësaj periudhe kishin kopjuar të dhënat e kartelave bankare “përmes programeve keqbërëse” duke bërë tregti të të dhënave personale në forma të ndryshme.

Aktakuza thotë gjithashtu se i akuzuari L.I, prej vitit 2011 e deri ne vitin 2014, nëpërmes biznesit të tij kishte bërë shmangie të tatimit në shumën prej mbi 8,000 euro.

Gjukimi pritet të vazhdojë më 28 shkurt.

Dosja: Si arritën Gjilanasit të thyejnë kodet e bankave e të marrin para?