Arkiv - Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, në gjyq. Foto: Kallxo.com

Prokurori e Haki Rugova nuk vijnë në gjykim, dështon seanca

Në mungesë të prokurorit Ali Uka, Gjykata e Pejës ka dështuar ta vazhdojë procesin gjyqësor kundër kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugovës.

Prezent nuk ishte as vet i akuzuari Rugova, por gjykata nuk dha ndonjë arsyetim për mungesën e tij.

Kryetari i trupit gjykues Sylë Lokaj tha se, prokurori e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë ‘për shkak të angazhimeve të paplanifikuara’ duke kërkuar që të shtyhet seanca.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 21 janar 2020.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Interneës Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Interneës Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.