Prokurori dhe i akuzuari nuk vijnë në gjykatë, dështon seanca për plagosjen me armë

Seanca gjyqësore kundër të akuzuarve Arianit Pllana, Bleon Hyseni, Egzon Salihu për tentim vrasje ka dështuar të mbahet.

Arsye e mos mbajtjes ishte mungesa e prokurorit Naim Beka dhe të pandehurit Bleon Hyseni.

Trupi gjykues i përbërë nga Sinisha Mandushiq kryetar dhe Tomislav Petroviq e Radoslav Markoviq anëtarë kanë njoftuar palët e tjera prezente për mungesën e të lartcekurve.

Mandushiq ka thënë se prokurori Naim Beka përmes telefonit e kishte njoftuar gjykatësin se nuk do të këtë mundësi të jetë prezent në seancë, sepse siç tha gjykatësi, prokurori kishte mësimdhënie në master.

Ndërsa për të akuzuarin Bleon Hyseni gjykatësi Mandushiq ka thënë se është njoftuar nga avokati Xhemajl Jusufi, se i njëjti ishte në arrest shtëpiak dhe përkundër faktit se policia e kishte njoftuar prindin e tij, ai nuk ka prezantuar në seancë.

Gjykatësi për të akuzuarin Hyseni ka thënë se do t`i shkruhet urdhëresë policisë për sjelljen e këtij të fundit në gjykatë.

Meqenëse në këtë seancë nuk ka prezantuar as dëshmitari Armend Fejzullahu, për të cilin gjykatësi Mandushiq ka thënë se ka qenë i njoftuar për këtë seancë përmes procesverbalit të seancës së kaluar por i njëjti nuk ishte prezent.

Ndaj dëshmitarit Fejzullahu  gjykata do të dërgoj urdhëresë për sjellje të detyrueshme në gjykatë.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyre për 31 tetor.

Akuza e prokurorisë i ngarkon të pandehurit Pllana, Hysnei, Salihu së bashku me të miturin L. B., se në tetor 2018, në sheshin “Lah Nimani”, në Mitrovicë kishin filluar kryerjen e veprës penale vrasje në tentativë.

Në aktin e prokurorisë shpjegohet se Emin Emini ishte duke lëvizur në rrugë me automjetin e tij së bashku me shokun e tij, Dren Mehmeti.

Të lartcekurve ua kishte zënë rrugën i mituri L. B., duke i thënë të dëmtuarit Emini që të vazhdoj më tutje sepse aty kishte kamera dhe në momentin kur viktima ndalet me veturë aty i afrohet i mituri L. B., ia hap derën viktimës duke i thënë që ai të dal nga vetura.

Mehmeti dhe Emini që kishin qenë në veturë kishin dal nga vetura, ndërsa kishte filluar një komunikim verbal mes këtij të fundit dhe të miturit L. B.

Në këtë situatë i pandehuri Bleon Hyseni, shprehet “a t`i lom qety të dytë bir”, ndërkohë që Arianit Pllana iu kishte drejtuar Dren Mehmetit “Ik largohu se pe han edhe ti”, dhe në këtë situatë përderisa i mituri L. B. fillimisht e godet me grusht të dëmtuarin, poashtu në të njëjtën kohë e nxjerrë revolen e drejton në drejtim të të dëmtuarit dhe i dëmtuari me qëllim të mbrojtjes e kap me duar të miturin L. B.

Me këtë rast i mituri nga kjo revole shkrep një herë dhe e godet të dëmtuarin Emin Emini në këmbën e majtë, i dëmtuari rrëzohet për tokë, derisa  tre të pandehurit tjerë edhe përkundër që i dëmtuari merr plagë në këmbë së bashku me të miturin L. B., vazhdojnë ta godasin në këmbë me grushte pjesëve të ndryshme të trupit ku të njëjtin e lënë të shtrirë për toke dhe largohen nga vendi i ngjajes.

Gjithnjë sipas aktakuzës i dëmtuari në pamundësi për t`u ngritur kërkon ndihmë dhe më pas i afrohet Armend Fejzullahu dhe i lidh këmbën ndërsa më pas kishte arritur autoambulanca dhe dërgohet në shtëpinë e shëndetit. Më pas transferohet në qendrën emergjente në Prishtinë dhe rezulton se i njëjti ka pësuar plagë nga arma e zjarrit në regjionin e kërcirit të majtë, thyerjen e shumëfishte të kërcirit e që janë trajtuar si lëndime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndet.

Me këtë të akuzuarit në bashkëkryerje me të miturin L. B. kanë kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.