Foto: Prokuroria e Pejës

Prokurori apelon vendimin e gjykatës për arrest shtëpiak ndaj të dyshuarve për fajde

Gjykata e Pejës përmes vendimit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak dy të dyshuarve për fajde, ndërsa prokuroria e Pejës kishte kërkuar masën e paraburgimit.

Paraburgimi ishte kërkuar pas një aksioni të Prokurorisë së Pejës ku u arrestuan dy të pandehur që janë motër e vëlla, të cilët po dyshohen që kanë kryer vepër penale të fajdesë.

Gjykata e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për paraburgim duke iu caktuar të dyshuarve masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë.

Prokurori i rastit, Dorian Juniku, për KALLXO.com tha se pasi ka pranuar vendimin e gjykatës ka parashtruar ankesë në gjykatën e Apelit.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast në vazhdimësi.

D. M. po dyshohet se ka kërkuar nga viktima një shumë të të hollave që ai ia kishte borxh bashkëshortit të saj, tani të ndjerit Xh. M.

Prokuroria thotë se viktima, fillimisht ia kishte borxh shumën prej 200 eurove të ndjerit Xh. M. që ishte bashkëshorti i të pandehurës, e që pastaj viktima në emër të fajdesë, ka paguar te Xh. M. shumën e të hollave prej 4,050 eurove.

Sipas hetimeve, i dëmtuari çdo muaj me datën 12, i ka dërguar te Xh. M. shumën prej 150 eurove.

Dosja e Prokurorisë thotë se pas vdekjes së të ndjerit, e pandehura në emër të fajdesë së bashkëshortit të saj ka kërkuar nga i dëmtuari pagesën duke ju drejtuar atij me fjalët “nesër me datë 12.09.2021 me i pru 150 euro”.

Edhe vëllai i të pandehurës, i dyshuari A. M. po dyshohet se ka kërkuar nga viktima e njëjtë shumën e të hollave në emër të dhëndrrit të tij të ndjerit Xh. M.

Prokurori: Familjarët e të pandehurve të arrestuar për fajde, kanë shkuar mbrëmë e kanë kanosur viktimën (kallxo.com)