Prizren: Paraburgim personit që dyshohet se e kërcënoi vajzën me vrasje

Gjykata e Prizrenit i ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit XH.K. nga Prizreni pasi po dyshohet të ketë kryer dy vepra penale, atë të dhunës në familje dhe atë të kanosjes.

Sipas një njoftimi të Gjykatës i dyshuari është arrestuar më 1 dhjetor.

Dyshohet se i pandehuri Xh.K, ka kryer veprën penale ndaj viktimës së ndjeshme respektivisht vajzës së tij në shtëpinë e përbashkët ku jetojnë.

I pandehuri Xh.K dyshohet se e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën dhe duke e kanosur me fjalë se do ta vrasë, me ç’rast te e dëmtuara është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri.

Në këtë drejtim, duke e marrë parasysh gjendjen momentale të dëmtuarës, rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, si dhe intensitetin e vlerës së mbrojtur, kjo e arsyeton dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tij në liri i njëjti mund të përsërisë veprën penale, ku në rastin konkret mund të shkaktohen pasojat edhe më të mëdha, si dhe të ndikojë në mënyrë negative në tërë shoqërinë e gjerë.

Andaj  është konstatimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit ndaj të njëjtit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale.