Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Prizren- paraburgim ndaj shtetasit të Shqipërisë

Pas kërkesës së Prokurorisë, gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit I.T., nga Shqipëria.

Ky paraburgim i është caktuar në raport me procedurën e ekstradimit, nën dyshimin se I.T., ka kryer veprat penale vrasje me paramendim, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, grupi i strukturuar kriminal dhe vrasjes në rrethana të tjera cilësuese.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Artan Sejrani, konform dispozitave të KPPRK-së , të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 40 ditëve, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej datës 6 dhjetor 2020 deri me datën 14 janar 2021.

Në njoftimin e gjykatës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore, paraprakisht ka konstatuar konform Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, se i kërkuari I.T., nuk e gëzon statusin e azilit politik në Republikën e Kosovës dhe nuk është shtetas i huaj që gëzon imunitet nga ndjekja penale dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet.

Sipas vlerësimit të gjykatës, në këtë rast qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit sepse ekziston rreziku i ikjes apo shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri I.T., është i paarritshëm për organet e ndjekjes në Republikën e Shqipërisë dhe ndaj tij është lëshuar urdhër arrest.

Në njoftim, thuhet se nëse i dyshuari qëndron në liri do të vështirësojë rrjedhën e procedurës së ekstradimit, pasi që i njëjti nuk ka vendbanim dhe as vendqëndrim në Republikën e Kosovës, për faktin se është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe lehtas mund të shmanget apo të ikë në vend të panjohur për organet e ndjekjes penale, ashtu që do të pengohet rrjedha normale e procedurës.

Pas këtij vendimi, pala e cila nuk është e kënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve në gjykatën e Apelit në Prishtinë, mirëpo ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij vendimi.