Prizren, nëna akuzohet se lindi fëmijën dhe e la të vdiste në tavan

Një grua nga Prizreni po akuzohet se me dashje ka vrarë fëmijën e saj në prill të këtij viti.

Sipas Prokurorisë ngjarja ka ndodhur me datë 20 Prill në Prizren rreth orës 21 në shtëpinë e saj familjare.

Në aktakuzë thuhet se në katin e dytë të shtëpisë familjare, përkatësisht në dhomën e saj e akuzuara M.B pa dijeni dhe pa ndihmën e askujt nga familjarët, lind të gjallë foshnjën e gjinisë mashkull.

Pas lindjes nëna nuk ia pret kërthizën foshnjës, por e mbështjell me një xhemper e çon në tavanin e shtëpisë, ku e lë foshnjën pa i treguar askujt.

Fëmija i posalindur ka jetuar disa orë, kur si pasojë e mbylljes së rrugëve të frymëmarrjes dhe asifiksisë, i porsalinduri vdes.

Në raportin e autopsisë është konstatuar se vdekja e tillë është jo e natyrshme dhe kështu prokuroria po e ngarkon me veprën  “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”.

Në Kodin Penal të Kosovës thuhet se “Nëna që e privon nga jeta foshnjën e vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”