Prizren, katër ish-drejtorë të Komunës nën akuza për degradim të hekurudhave

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, që të gjithë të dyshuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar.

Nga shtatë të akuzuarit katër të akuzuar  janë ish drejtorë të Komunës në kohën kur Prizreni udhëhiqej nga PDK me kryetar Ramadan Mujën, ndërsa një inspektor komunal B.K., ish kryeshefi  i Infrakosit A.TH. i zgjedhur në Janar të vitit 2012, dhe N.A Menaxheri i patundshmërive  dhe bashkëpunëtor profesional janë të akuzuarit tjerë nga Prokuroria e Prizrenit.

Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit; Nijazi Kryeziu, ish drejtor i Urbanizmit; Visar Islamaj, ish drejtor i Urbanizmit në Prizren dhe Bujar Nerjovaj ish drejtor i Inspektoratit në Prizren, janë ish drejtorët që po akuzohen nga Prokuroria e Prizrenit.

Sadik Paçarizi, Nijazi Kryeziu dhe Bujar Nerjovaj nuk është hera e parë që po përballen me akuzat e Prokurorisë për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sadik Paqarizi është i bashkë akuzuar me ish kryetarin Ramadan Muja në një proces të gjatë gjyqësor që nga viti 2014.

Nesër shpallet vendimi për Ramadan Mujën dhe të tjerët

Nijazi Kryeziu sot është shpallur i pafajshëm si një ndër të akuzuarit në rastin e shumëpërfolur “Pronto”.

Prokurorja Drita Hajdari: Të fuqishmit e politikës i shpëtojnë drejtësisë

Ndërsa Nijazi Kryeziu është i akuzuar edhe për lidhjen e kontratave pa tender, e rasti në Gjykatën e Prizrenit është në fazën fillestare.

Mbetet në fuqi aktakuza për Njazi Kryeziun

Bujar Nerjovaj në qershor të vitit 2019 ishte shpuar fajtor nga Gjykata e Prizreni dhe ishte dënuar me burgim me kusht, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por rastin e tij Gjykate e Apelit e kthyer në rigjykim.

Anulohet vendimi i Gjykatës së Prizrenit, rasti i Zëvendës Ministrit kthehet në rigjykim

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor pranë Komunës së Prizrenit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare,  me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” me seli në Fushë Kosovë.

Sipas Prokurorisë, tre drejtorët kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit si dhe kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit, gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe Inspektorin Komunal me inicialet B.K., për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit,  duke bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari A.Th., gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Kryeshefit pranë “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës i zgjedhur në Janar të vitit 2012, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, shkakton dëm personit tjetër në rastin konkret “Infrakos” me seli në Fushë Kosovë, në atë mënyrë që nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari i fundit  N.A., sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional pranë “Infrakos”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare e me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Infrakos” me seli në Fushë Kosovë, në atë mënyrë që edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta. I akuzuari N.A. pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.