Foto: KALLXO.com

Prizren, ish-përmbaruesja e akuzuar për sekuestrimin e traktorit të personit të gabuar përballet me dëshminë e të dëmtuarit

I dëmtuari Xhavit Gegaj po kërkon drejtësi në Gjykatën e Prizrenit pasi ai po pretendon se është dëmtuar kur nga përmbarimi i është sekuestruar traktori që e ka pasur në kujdesje.

“Haki Bytyqi ka ndërruar jetë rreth katër vite më parë. Derisa ka qenë i sëmurë, ai më ka lënë amanet që ta ruaj traktorin në oborrin tim sepse i ka pasur fëmijët e vegjël dhe është frikësuar se mos dikush po ia merr. Prandaj, ai e ka lënë në oborrin tim” – tha në rrëfimin tij Gegaj.

Ish-përmbaruesja Saranda Kuçi po gjykohet se në kundërshtim me ligjin ka konfiskuar traktorin duke mos qenë pronë e të dëmtuarit, por pronë e një personi të ndjerë.

Megjithëse nuk ishte pronari, Gegaj konsideroi të jetë dëmtuar pasi traktori u mor nga shtëpia e tij.

“Ndihem i dëmtuar se traktori u sekuestrua nga oborri i shtëpisë sime”-u shpreh ai.

Xhavit Gegaj më tej ka arsyetuar se pas konfiskimit të traktorit i është kërkuar përgjegjësi nga familja e të ndjerit Bytyqi.

“Pas sekuestrimit të traktorit bashkëshortja dhe fëmijët e Haki Bytyqit prej meje kanë kërkuar përgjegjësi, në fakt ose traktorin ose dëmshpërblim. Ne po ashtu i kemi prishur edhe raportet shoqërore”-tha në rrëfimin e tij Gegaj.

Gegaj sqaroi se traktorin e ka blerë rreth 6 vite më parë bashkë me të ndjerin Haki Bytyqi. Ai tha se çmimi i tij mund të ishte rreth 11 mijë euro.

Ndonëse nga Ministria e Punëve të Brendshme ishte konstatuar se fillimisht traktori është regjistruar në emër të tij, ai e mohoi këtë.

“Traktori kurrë nuk ka qenë pronë e imja e as i regjistruar në emër tim. Për herë të parë, së bashku me Hakinë kemi shkuar në fshatin Xërxë ku ai e ka blerë prej një kompanie. Gjatë blerjes, kompania nuk i ka besuar Haki Bytyqit ashtu që unë kam qenë si garantues. Pra, nëse Hakiu se paguan shumën atëherë unë do ta paguaj ku dhe kam nënshkruar kontratë interne” – tha i dëmtuari-dëshmitari.

Ai përfundoi duke thënë se çmimin e shitblerjes e ka paguar vetëm Haki Bytyqi.

Paraprakisht në këtë seancë është lexuar aktakuza, është dhënë fjala hyrëse dhe gjykimi ka vijuar me procedurën e provave.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për më 27 janar dhe 10 shkurt 2023.

Sipas aktakuzës, e pandehura Saranda Kuçi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitojë dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në akuzë thuhet se më 22 dhjetor 2021, rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh. G., nga fshati Studençan, Suharekë, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” pronë e tani të ndjerit H. B., nga fshati Reshtan.

Prokuroria thhotë se traktorin e konfiksuar e ka dërguar në pllacin ndërtimor të kreditorit B. G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës.

Me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.

 

https://kallxo.com/lajm/shtyhet-seanca-ndaj-ish-permbarueses-e-akuzuar-per-konfiskimin-e-traktorit-te-personit-te-gabuar/