Prizren, ish-drejtori komunal paralajmëron se do t'i sjellë 500 dëshmitarë në gjykatë, përfshirë "edhe Grenellin"

Ish-Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Sadik Paçarizi, ka paralajmëruar se do t’i sjellë para gjykatës 500 dëshmitarë.

Paçarizi së basku me tre ish-drejtorë të Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, një zyrtar dhe ishkryeshefin e “INFRAKOS” po përballen me akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrave të tyre.

 

Mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur kundërshtimet e tyre, dhe kërkuan nga Gjykata që kjo aktakuzë të hudhet poshtë si e paligjshme, ndërsa edhe ish-drejtorët kishin vërejtjet e tyre për akuzën e Prokurorisë.

Sadik Paçarizi tha se aktakuza e Prokurorisë i ka shkaktuar dëm rreth 500 personave që janë pronarë të bizneseve në afërsi të hekurudhave, andaj e paralajmëroi gjykatën se do t’i sjellë si dëshmitarë që të gjithë për të dëshmuar.

“Pos këtyre dëshmitarëve kam me propozu si dëshmitarë dhe 5 legjislatura të asamblesë Komunale, secila nga 40 asamblistë me ardhë si dëshmitarë”, deklaroi Paraçirizi pasi që, sipas tij, ai si Drejtor ka zbatuar vendimet e nxjerra nga ana e Kuvendit Komunal, e që janë të zbatueshme edhe sot.

I akuzuari Sadik Paçarizi në fund tha se tha se do ta ftojë si dëshmitar edhe emisarin amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në këtë proces gjyqësor për të biseduar lidhur me hekurudhat, e kjo shkaktoi të qeshura te të akuzuarit tjerë, mirëpo këto nuk i priti aspak mirë prokurori i rastit Genc Nixha.

“Po shihet serioziteti juaj në trajtimin e rastit”, i tha prokurori Genc Nixha të akuzuarit, duke thënë iu referuar deklarimit të të akuzuarit.

“Politikën jashtë gjykatave”, e ndërpreu diskutimin ndërmjet të akuzuarve dhe prokurorit, gjyqtarja e rastit Teuta Krusha, të cilës iu paraqitën kundërshtimet dhe kërkesat e gjashtë avokatëve dhe gjashtë të akuzuarve në këtë proces.

Pos kësaj i akuzuari Paçarizi por edhe ish-drejtori tjetër që është pjesë e aktakuzës Nijazi Kryeziu, kishin ankesa ndaj prokurorit të rastit, duke e quajtur aktakuzën “puro politike”.

Ish drejtori i Urbanizmit, Nijazi Kryeziu, tha se në dy vitet e fundit është pjesë e procese gjyqësore dhe i papunë si pasojë e aktakuzave të Prokurorisë, ndërsa tha se deri më sot asnjë nga këto aktakuza nuk është e bazuar dhe e provuar. “Krejt kjo është politikë”, tha ai.

Me të përfunduar kundërshtimet e tyre, dy ish-drejtorët pjesën e mbetur të seancës e vazhduan duke përdoru telefonat e tyre.

Të akuzuarit Sadik Paçarizi dhe Nijazi Kryeziu duke përdorur telefonat gjatë seancës

Gjashtë mbrojtësit dhe të gjithë të akuzuarit kërkuan nga gjyqtarja e rastit Teuta Krusha që ta hedh poshtë këtë aktakuzë, pasi që sipas tyre vetëm kanë zbatuar vendimet ligjore pa qëllime të çfarëdo përfitimit siç parasheh akatakuza.

Sadik Paçarizi, Njazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj që të gjithë janë ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës, bashkë me inspektorin Bashkim Krasniqi, dhe dy zyrtarët e ndërmarrjes “Infrakos” Agron Thaqi dhe Naim Avdyli po ngarkohen me akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit me veprime të ndryshme i kanë shkaktuar dëm në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” në vlerë prej 104,674.61 euro.

Emisioni Drejtësia në Kosovë kishte publikuar hulumtimin për dëmin milionësh që i është shkaktuar linjës hekurudhore Klinë- Prizren nga ana e bizneseve të shumta të cilët operojnë në atë zonë.

Ndërsa për pronat e ndërmarrjes publike “Infrakos”, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur edhe 46 aktakuza tjera për veprat penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë, ndaj individëve dhe bizneseve që kanë ndërtuar dhe uzurpuar pronën e ndërmarrjes publike “ Infrakos”.

Të gjithë të akuzuarit, dy herë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë, duke paraqitur shumë vërejtje dhe ankesa ndaj aktakuzës së Prokurorisë.

Prizren, ish-drejtorët e Komunës dhe zyrtarët e “Infrakos”-it në gjyq, deklarohen të pafajshëm

Për Sadik Paçarizin, Njazi Kryeziun dhe Bujar Nerjovajn nuk është hera e parë që po përballen me akuzat e Prokurorisë për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sadik Paçarizi është i bashkëakuzuar me ish-kryetarin e Prizrenit Ramadan Muja në një proces të gjatë gjyqësor që nga viti 2014.

Njazi Kryeziu është shpallur i pafajshëm si një ndër të akuzuarit në rastin e shumëpërfolur “Pronto”, ndërsa është i akuzuar edhe për lidhjen e kontratave pa tender, e rasti në Gjykatën e Prizrenit është në fazën fillestare.

Bujar Nerjovaj në qershor të vitit 2019 ishte shpuar fajtor nga Gjykata e Prizreni dhe ishte dënuar me burgim me kusht, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por rastin e tij Gjykata e Apelit e kthyer në rigjykim.