Foto: Kallxo.com

Prizren, ish-drejtorët e Komunës dhe zyrtarët e “Infrakos”-it në gjyq, deklarohen të pafajshëm

Për herë të dytë, katër ish drejtorë të Komunës së Prizrenit dhe dy zyrtarë të ndërmarrjes publike “Infrakos” janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë.

Sadik Paçarizi, Njazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj që të gjithë janë ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës, bashkë me inspektorin Bashkim Krasniqi, dhe dy zyrtarët e ndërmarrjes “Infrakos” Agron Thaqi dhe Naim Avdyli po ngarkohen me akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit me veprime të ndryshme i kanë shkaktuar dëm në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” në vlerë prej 104,674.61 euro.

Seanca fillestare e këtij procesi që është rasti shenjëstruar për liberalizim vizash, ishte mbajtur fillimisht më datë 20 shkurt, edhe në atë seancë të gjithë të akuzuarit kishin mohuar akuzat e Prokurorisë duke u deklaruar të pafajshëm.

Seanca e caktuar për 27 mars ka dështuar të mbahet pasi që sipas udhëzimeve të Këshillit Gjyqësor, gjykatat kishin pezulluar punën e tyre, ndërsa seanca e parë u mbajt përsëri meqenëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga seanca e fundit.

Deri në seancën e radhës të 7 gushtit, të akuzuarit nëpërmjet mbrojtësve të tyre kanë të drejtën të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e aktakuzës që i konsiderojnë të paligjshme, apo edhe të kërkojnë hedhjen e aktakuzës në tërësi dhe të paraqesin provat që janë në favor të tyre që mund ti shërbejnë Gjykatës nëse rasti shkon në shqyrtim kryesor.

Emisioni Drejtësia në Kosovë kishte publikuar hulumtimin për dëmin milionësh që i është shkaktuar linjës hekurudhore Klinë- Prizren nga ana e bizneseve të shumta të cilët operojnë në atë zonë.

Një skemë e dyshimtë është përdorur për të llogaritur dëmin që uzurpimet e dëmtime nga uzurpatorët i kanë shkaktuar Infrakosit në hekurudhën në hyrje të Prizrenit.

Ndërsa për pronat e ndërmarrjes publike “Infrakos”, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur edhe 46 aktakuza tjera për veprat penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë, ndaj individëve dhe bizneseve që kanë ndërtuar dhe uzurpuar pronën e ndërmarrjes publike “ Infrakos”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, ish-zyrtarët komunalë Sadik Paqarizi, Njazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – “InfraKos” me seli në Fushë Kosovë.

Sipas Prokurorisë, tre drejtorët kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit si dhe kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit, gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe Inspektorin Komunal Bashkim Krasniqi, për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e Inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit,  duke bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaqi, gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke qenë Kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari i fundit  Naim Avdyli, sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si Menaxher i patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional në “Infrakos”, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke shkaktuar dëm “Infrakos”-it edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

I akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Për Sadik Paçarizin, Njazi Kryeziun dhe Bujar Nerjovajn nuk është hera e parë që po përballen me akuzat e Prokurorisë për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sadik Paçarizi është i bashkëakuzuar me ish kryetarin e Prizrenit Ramadan Muja në një proces të gjatë gjyqësor që nga viti 2014.

Njazi Kryeziu është shpallur i pafajshëm si një ndër të akuzuarit në rastin e shumëpërfolur “Pronto”, ndërsa është i akuzuar edhe për lidhjen e kontratave pa tender, e rasti në Gjykatën e Prizrenit është në fazën fillestare.

Bujar Nerjovaj në qershor të vitit 2019 ishte shpuar fajtor nga Gjykata e Prizreni dhe ishte dënuar me burgim me kusht, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por rastin e tij Gjykata e Apelit e kthyer në rigjykim.