Foto: KALLXO.com

Prizren, Gjykata aprovon një propozim të ish-përmbarueses, e cila po gjykohet për konfiskimin e traktorit të një personi të gabuar

Gjykata e Prizrenit të premten ka aprovuar propozimin e ish-përmbarueses Saranda Kuçi për dëgjimin e dëshmitarit.

Saranda Kuçi po gjykohet se në kundërshtim me ligjin ka konfiskuar traktorin duke mos qenë pronë e të dëmtuarit, por pronë e një personi të ndjerë.

Në shqyrtimin e sotëm, e akuzuara Kuçi ka propozuar që Gjykata ta ftojë dëshmitarin Bajrush Gashi për të treguar se i kujt ka qenë traktori i cili është edhe objekt i akuzës.

Ky propozim u kundërshtua nga prokurori Metush Biraj, i cili deklaroi se nuk ka asgjë kontestuese në këtë çështje.

Këtë mendim e përkrahu edhe Muhamet Shala, përfaqësues i palës së dëmtuar.

Ai këtë propozim e konsideroi irelevant duke thënë se objekt i akuzës nuk është traktori por vepra e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Për dëshmitarin e propozuar reagime pati edhe vetë i dëmtuari, Xhavit Gegaj.

Gegaj konsideroi se kreditori nuk ka të drejtë të vijë në gjykim pasi që edhe më parë ka pasur probleme dhe sulm fizik me të.

Lidhur me këtë, trupi gjykues mori vendim që ta aprovojë propozimin që të thirret dëshmitari Bajram Gashi.

Po ashtu u kërkua që në seancën e radhës të ftohet edhe bashkëshortja e të ndjerit Haki Bytyqi si dhe u lëshua kërkesa në stacionin policor për sigurimin e sallës.

Seanca e radhës do të mbahet më 10 shkurt.

Sipas aktakuzës, e pandehura Saranda Kuçi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitojë dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se më 22 dhjetor 2021, rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studençan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan.

Prokuroria thotë se traktorin e konfiskuar e ka dërguar në pllacin ndërtimor të kreditorit B. G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit.

Me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.