Prizren, gjeodetja e akuzuar: Ndarja e parcelës nuk e ka dëmtuar asnjërin prej vëllezërve Gjevlekaj

Luljeta Rizanaj, e akuzuar së bashku me Bajram Selmanin, se kanë bërë ndarjen e parcelave pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit nga katër bashkëpronarët Gjekë Gjevlekaj, ka vazhduar me mbrojtjen e saj para trupit gjykues.

Gjatë deklaratës së saj pranë Gjykatës së Prizrenit, gjeodetja theksoi se ndarja e parcelës është bërë në mënyrë ideale pa dëmtuar asnjërin nga vëllezërit Gjevlekaj.

Prokuroria po i ngarkon dy të akuzuarit, Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke shkelur të drejtat e personit tjetër.

Në seancën e sotme, prokurori Mehdi Sefa e ballafaqoi të akuzuarën Luljeta Rizanaj me deklaratat e dhëna në polici dhe prokurori, ku ajo ka theksuar se letërnjoftimi i njërit bashkëpronar nuk ka figuruar në shkresat e lëndës.

Gjeodetja tha se për këtë kishte kuptuar vetëm pasi kishte ardhur zyrtari policor dhe kishte kërkuar lëndën, me arsyetimin se është falsifikuar nënshkrimi i njërit nga bashkëpronarët. Tutje, shtoi se nuk ka pasur falsifikim të nënshkrimit por vetëm kishte munguar nënshkrimi i njërit nga vëllezërit Gjevlekaj.

E akuzuara Rizanaj deklaroi se nuk e kishte për obligim ligjor të njoftojë ndonjë zyrtar për mungesën e letërnjoftimit të një bashkëpronari.

“Unë nuk e kam pasur obligim ligjor të njoftojë koordinatorin apo ndonjë zyrtar tjetër për mungesën e letërnjoftimit të një bashkëpronari sepse me këtë punë në atë kohë ka qenë i caktuar një zyrtar tjetër”, tha gjeodetja.

E akuzuara deklaroi se pasi që të kryhet lënda, gjeodeti i licencuar ka për detyrë të merr dokumentacionin, aktvendimin dhe fletat poseduese në gjendje të re pas parcelizimit të ngastrave dhe t’i njoftojë të gjithë bashkëpronarët me gjendjen e re civile e cila evidentohet në kadastral MAP.

Për gjeodeten Rizanaj, aktvendimi i marrë për ndarjen e ngastrave kadastrale nuk kishte dëmtuar asnjëri nga bashkëpronarët, sepse ata janë bashkëpronarë të parcelave të krijuara me nga ¼ e pjesës ideale.

Ndërsa, lidhur me anulimin e aktvendimit për ndarjen e parcelës, Rizanaj theksoi se kjo mund të bëhej me kërkesën për bashkimin e parcelave të nënshkruar nga të gjithë bashkëpronarët duke u kthyer në gjendjen e mëparshme.

Sipas Prokurorisë, Bajram Selmani, gjeodet, po akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mhill Gjevlekaj, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjekë Gjevlekaj.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Selmani e ka bërë në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjekë Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjekë Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete, bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjekë Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjekë Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin me 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.