Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizren - Dështojnë gjykimet ndaj zyrtarëve për korrupsion

Komuna e Prizrenit që nga janari i këtij viti ka telashe zyrën e përfaqësuesve ligjor.

Zyra e përfaqësuesit ligjor i raporton Kryetarit të Komunës, dhe kjo zyre do të duhej të mbronte interesin e Komunës dhe të institucioneve që financohen nga Komuna, në procedurën civile, penale, përmbaruese dhe administrative në gjykatat e vendit në të gjitha nivelet.

Mirëpo që nga fillimi i këtij viti Komuna e Prizrenit nuk ka arritur t`i japë zgjidhje kësaj zyre shumë të rëndësishme në aspektin juridik dhe që mbron interesin e Komunës së Prizrenit në çështje pronësore civile, por edhe në çështje penale ku Komuna e Prizrenit konsiderohet palë e dëmtuar.

Në janar të këtij viti kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka i ishte drejtuar Gjykatës së Prizrenit me lutje, duke kërkuar Gjykatës që të shtyhet mbajtja e seancave gjyqësore lidhur me lëndët e komunës derisa të përcaktohet një alternativë nga Komuna e Prizrenit për përfaqësim ligjor.

Haskuka në letrën drejtuar Gjykatës kishte thënë se brenda një afati sa më të shkurtër kohor Komuna do të bënte zgjidhje për zyrën ligjore.

Komuna e Prizrenit nëpërmjet procedurës së negociatave kishte nënshkruar kontratë 6 mujore me një avokat për ta përfaqësuar Komunën, ndërsa tash kur kjo kontratë ka skaduar Komuna ka mbetur përsëri pa përfaqësues për t`i mbrojturat interesat e Komunës pranë Gjykatës.

Mirëpo e njëjta situatë është duke ndodhur përsëri, pasi që seancat gjyqësore në departamentin e krimeve të rënda pranë Gjykatës së Prizrenit ku Komuna është palë janë duke dështuar të mbahet.

Gjatë kësaj jave dy seanca gjyqësore ndaj zyrtarë të Komunës apo ish zyrtarëve komunal të akuzuar  për vepra penale të korrupsionit ku Komuna konsiderohet palë e dëmtuar, kanë dështuar të mbahen për arsye të mungesës së përfaqësuesve ligjor.

Fillimisht gjykimi ndaj 5 zyrtarë të Komunës të cilët akuzohen për keqpërdorime në ndërtimin e shtëpisë së kulturës në Zhur ka dështuar të mbahet.

Ndërsa një ditë më vonë ka dështuar të mbahet edhe gjykimi ndaj ish drejtori të Inspektorateve nga qeverisja e kaluar, të akuzuarit Bujar Nerjovaj, i cili po akuzohet për mos rrënim të objekteve hoteliere të ndërtuara në zonën e Shatërvanit.

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit janë edhe raste të tjera nëpër të cilat, në aktakuza ndaj zyrtarëve apo ish zyrtarëve, Komuna konsiderohet si palë e dëmtuar dhe duhet të paraqitet në këto raste për të paraqitur kërkesën e tyre për dëmshpërblim.

Nga kabineti i kryetari të Komunës Mytaher Haskuka, për KALLXO.com kanë thënë se momentalisht Komuna e Prizrenit është duke i mbuluar përfaqësimet ligjore përmes zyrtarëve të tjerë ligjorë që ka Komuna. Në rastet kur janë lëndë që nuk mund të përfaqësohen nga këta zyrtarë po kërkohet shtyrja e seancave dhe me mirëkuptim të Gjykatës po pritet deri në një zgjidhje prej Komunës së Prizrenit.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se disa herë kanë iniciuar konkursin për angazhimin e një zyrtari të tillë, mirëpo sipas Komunës brenda vitit 4 zyrtarë kanë dhënë dorëheqje nga kjo pozitë e rëndësishme.

Ndërsa lidhur me pyetjet për një zgjidhje të kësaj situate, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se zgjidhja afatgjate e kësaj çështjeve është rekrutimi i stafit, që sipas Komunës është pengesë pothuajse njëvjeçare nga  ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, mirëpo deri atëherë Komuna e Prizrenit do ta angazhojë një kompani nga jashtë, e cila do të bëjë përfaqësimin e Komunës në lëndët e saja në Gjykatë.