Prizren, babai akuzohet se e rrahu me grushte vajzën pasi e pa duke pirë cigare

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji ndaj të pandehurit A.Q. nga Prizreni, i cili dyshohet për veprën penale – lëndimi i lehtë trupor.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 2.9.2019, deri më 2.10.2019.

Prokuroria e Prizrenit pretendon se i pandehuri më 1.9.2019, rreth orës 23:45 minuta, në Prizren, në shtëpinë e tij familjare, e ka rrahur me grushte vajzën e tij, K.K., pasi e kishte vërejtur duke konsumuar cigare.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes që kishte shpërthyer pasi e kishte parë duke pirë cigare, i pandehuri e godet vajzën në mënyrë të befasishme me grushte në regjionin e fytyrës dhe duke  kaluar më tutje në sjellje flagrante, duke e detyruar që të qëndrojë e ulur derisa i njëjti e sulmonte në vazhdimësi.

Pasi ishte kërkuar ndihmë nga Policia, i pandehuri i acaruar me këtë veprim kërkon të dijë se kush e kishte njoftuar Policinë, duke iu drejtuar me fjalë fyese, me ç’rast tek e dëmtuara shkakton keqtrajtim psikologjik dhe fizik, të cilat rezultojnë me lëndime të lehta trupore, përkatësisht gjakderdhje në regjionin e hundës dhe lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.