Ilustrim

Prizren: Aktakuzë ndaj tre personave për drogë në parking të marketit

Prokuroria në Prizrenka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet A.K., A.S., dhe R.B., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të drogës.

Sipas aktakuzës,  i akuzuari i parë A.K., më 1 mars të këtij viti, rreth orës 18:30 në Prizren, pa autorizim kishte shpërndarë substanca psikotrope të llojit “marihuanë”.

Ai akuzohet se në parkingun e “Jumbo”-s në Prizren, në një veturë të tipit BMË kishte shpërndarë dhe shitur bimë të llojit marihuanëpër konsumim të akuzuarve A.S., dhe R.B.

Aktakuza thotë se pasi ishin vërejtur nga Policia, ata e kishin hedhur në tokë një qese plastike me substancë narkotike me peshë 0.85 gram dhe një cigare të mbështjellur me marihuanë me peshë 1.02 gram.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se pas kontrollimit të automjetit dhe bastisjes në shtëpinë e të akuzuarit A.K., janë gjetur një pako me rizlla me mbishkrimin OCB SLIM, një grinder ngjyrë hiri, substancë narkotike me peshë 53.3 gramë si dhe 80 euro para të gatshme.

Sipas Prokurorisë së Prizrenit, me këto veprime i akuzuari A.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Më tutje, nga komunikata bëhet e ditur se i akuzuari i dytë, A.S., dhe i akuzuari i tretë R.B., në datën, kohë dhe vendin e njejtë, pa autorizim kanë poseduar substancë psikotrope të llojit “marihuanë” duke pranuar një cigare  dhe një sasi prej 0.8 gram të llojit  marihuanë dhe të dy së bashku kishin konsumuar bimë psikotropike të llojit “marihuanë”, por pasi ishin vërejtur nga policia, ao i kishin hedhur në tokë.

Sipas prokurorisë me këto veprime, i akuzuari A.S., dhe i akuzuari R.B., secili veç e veç kanë përmbushur elementet e veprës penale “Posedimi i paautorizur i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.