Prizren, aktakuzë ndaj katër personave për kokainë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave të cilët dyshohen se kanë kryer vepra penale të ndërlidhura me substanca narkotike.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit P. D., B. D., dhe M. K., pa autorizim kanë ofruar për shitje substanca narkotike, substanca psikotrope apo analoge, në atë mënyrë që nga fillimi i vitit 2018, e deri me datë 16.09.2019, në fshatin Velezhë, në lagjen Arbanë dhe në vende tjera qendër të Prizrenit, të dëmtuarit M. J., i kanë shitur narkotikë të llojit “kokainë”, fillimisht 50 euro për 1 gram, e pastaj 100 Euro për 1 gram, në sasi prej 107 gram, në vlerë të përgjithshme prej 10.700 Euro.

Më tej në njoftim thuhet se, të akuzuarit P. D., B. D., K. D., dhe M. K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, përdorin kanosjen serioze për të detyruar personat tjerë të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, që ka rezultuar me humbje të dobisë pasurore mbi 10,000 Euro.

“Meqë i dëmtuari M. J., nuk ishte në gjendje të paguaj sasinë e narkotikut që kishte marrë nga të akuzuarit P. D., B. D., M. K., ndërhynë i akuzuari K. D., ku së bashku e detyrojnë edhe babain e të dëmtuarit M. J., të dëmtuarin S. J., që për 107 gram të narkotikut ia kërkojnë 38,000 euro, kurse në fund të dëmtuarve, në një furrë – restaurant në qendër të Prizrenit me datë 16.09.2019, ua marrin 10,700 euro”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë së Prizrenit.

Si rrjedhojë me këto veprime, bëhet e ditur se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Detyrimi” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cila u vihen në barrë.