Prizren, 7 të akuzuarit për rastin “Infrakos” ndihen të pafajshëm

Ish-drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Sadik Paçarizi, së bashku me tre ish-drejtorë të Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, një zyrtar dhe ish-kryeshefin e “Infrakos”, dolën sot para Gjykatës të përballen me akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrave të tyre.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit Sadik Paçarizi, Njazi Kryeziu, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj (të gjithë ish-drejtorë të Komunës së Prizrenit në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës), bashkë me inspektorin Bashkim Krasniqi dhe dy zyrtarët e ndërmarrjes “Infrakos”, Agron Thaqi dhe Naim Avdyli, po ngarkohen me akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pra se me veprime të ndryshme i kanë shkaktuar dëm në rastin konkret Hekurudhave të Kosovës – “InfraKos” në vlerë prej 104,674.61 euro.

Para trupit gjykues me kryetare Teuta Krusha dhe anëtarë Raima Elezi e Luan Berisha, sërish shtatë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha.

Më pas, në këtë rast u dha fjala hyrëse e palëve në procedurë.

Në përgjithësi, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve thanë që aktakuza e Prokurorisë është e paqëndrueshme dhe juridikisht e pabazueshme dhe se një akuzë e tillë do të vërtetohet edhe gjatë shqyrtimit si e pabazuar.

Ndonëse sot gjykimi kishte filluar me 40 minuta vonesë dhe deri në fund të orarit kishte zgjatur fjala hyrëse e palëve, për ditën e nesërme u planifikua dëgjimi i dëshmitarëve.

Në pjesën e dytë të gjykimit, të akuzuarit Njazi Kryeziu dhe Visar Islamaj kanë qëndruar në telefonët e tyre, për të cilën gjë iu tërhoq vërejtja edhe nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, ish-zyrtarët komunalë Sadik Paqarizi, Njazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me qëllim  të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret Hekurudhave të Kosovës – “InfraKos” me seli në Fushë-Kosovë.

Sipas Prokurorisë, tre drejtorët kanë shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturës së hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit, gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe inspektorin komunal Bashkim Krasniqi, për periudhën kohore të vitit 2012 në Prizren, duke punuar si person zyrtar në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit, duke bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaqi, gjatë vitit 2013 në Fushë-Kosovë, duke qenë kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të Hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari i fundit  Naim Avdyli, sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar si menaxher i patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional në “Infrakos”, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke i shkaktuar dëm “Infrakos”-it edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të Hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

I akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e Hekurudhës në komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.