Prapa grilave - Ilustrim

Prizren, 1 muaj paraburgim të dyshuarit që tentoi të grabiste 20 mijë euro në këmbimore

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimin prej një muaji ndaj të dyshuarit për përfshirje në grabitje të 20 mijë eurove në një zyre të këmbimores në Prizren.

Gjykata ka njoftuar se i pandehuri F.I., më datë 10 shtator, në orët e mesditës, në Prizren, me përdorim të forcës e përvetëson në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit – zyrtarit të këmbimores.

Tutje më tej në njoftim thuhet se pasi i pandehuri shkon në këmbimore kinse të këmbejë 25 mijë franga në euro, me ç’rast i dëmtuari i përgatit 22.950.00 euro, dhe posa fillon i pandehuri t’i numërojë, e zë të habitur të dëmtuarin, duke u ngritur nga karrige e godet me grusht dhe largohet me vrap me paratë që i ka grabitur në shumë prej 20 mijë euro.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprës penale, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri F.I., nga të dhënat Policore rezulton se dyshohet edhe për një vepër penale të kësaj natyre.

Masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.I., do të llogaritet prej kohës së arrestimit 10 shtator 2021 dhe mund të zgjasë deri më 10 tetor 2021.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.