Prishtinë, shembet rruga, inspektorët e Komunës shqiptojnë gjoba

Një pjesë e rrugës “Sami Plakolli” në kryeqytet është shembur si rezultat i rrëshqitjes së dheut.

Me të marrë informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë 2 ekipe të Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, një nga Sektori i Rendit Komunal edhe një nga Sektori i Ndërtimit.

Sipas njoftimit të Komunës, pala në këtë rast nuk e ka respektuar lejen ndërtimore, sepse ende nuk e ka ndërtuar murin mbrojtës.

“Si rrjedhojë, Inspektori kujdestar nga Sektori i Ndërtimit e ka obliguar që t’i ndërpresë të gjitha punimet, si dhe e ka shqiptuar gjobën në vlerë 500 euro”, ka njoftuar drejtori i Inspektoratit, Adonis Tahiri.

Ai ka treguar se inspektori kujdestar i Sektorit të Rendit Komunal e ka shqiptuar gjobën tjetër për dëmtim të rrugës, gjithashtu 500 euro, si dhe e ka urdhëruar palën që menjëherë ta rikthejë terrenin në gjendjen e mëparshme.

“Vazhdimi i punimeve në ndërtimin e këtij objekti do të jetë i mundur vetëm pasi të vendoset muri mbrojtës sipas lejes ndërtimore, dhe pasi të rregullohet pjesa e dëmtuar e rrugës”, ka shkruar Tahiri në Facebook.