Ilustrim

Prishtinë, arrestohet i dyshuari për 28 raste të vjedhjeve në QKUK

Mëngjesin e sotëm Policia ka arrestuar një 29 vjeçar me inicialet G.E., i cili po dyshohet për 28 raste të vjedhjeve brenda reparteve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

“Sot hetuesit policor të stacionit jugu në Prishtinë, të angazhuar në një plan operativ, në nivel stacioni, kanë arritur që të identifikojnë dhe të arrestojnë një person të dyshuar,  i cili dyshohet se është i përfshirë në të paktën 28 raste të vjedhjeve të ndodhura në reparte të ndryshme të QKUK-së”, tha Ahmeti- Haziraj për KALLXO.com.

Tutje ajo shtoi se nga i dyshuari është konfiskuar edhe një veturë ndërsa, pas intervistimit është dërguar në  mbajtje.

“Gjatë veprimeve hetimore dhe ndërlidhjes së fakteve nga ana e hetuesve policorë është arritur të gjendet dhe sekuestrohet një automjet Citroën, i cili është dërguar për ekzaminim. Personi i dyshuar G.E. 29 vjeçar, është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.

KALLXO.com pati raportuar edhe për disa vjedhje të telefonave në QKUK.

QKUK, vidhen telefona në Klinikën e Pediatrisë

www.kallxo.com