Pretendimi i rrejshëm për dënimin e zv/kryeministres

Verifikuesit e fakteve gjatë analizimit të përmbajtjeve në internet kanë arritur të identifikojnë materiale të pasakta të cilat dezinformojnë për një rast të gjykuar nga Gjykata e Prishtinës. Sipas të dhënave, më 19.10.2024, faqja në Facebook “Gazeta Arbëria” (Arkiva) ka publikuar një artikull në të cilin flet për akuzën ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për mosraportim të saktë apo të rremë të pasurisë.

Shkrimi në këtë faqe vijon “U konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit që kjo zonja aspak e nderuar e ka fshehur pasurinë dhe ka bë deklarim të rrejshëm në formularin për deklarim të pasurisë”.

Gazeta Arbëria në raportimin e pasaktë ka shkruar që Gjykata e Apelit ka konfirmuar se Donika Gërvalla ka bërë fshehje të pasurisë dhe nuk e ka deklaruar atë saktë, madje duke shtuar gjoja në citat pjesë nga Vendimi i Apelit.

Kjo faqe nuk ka specifikuar nëse ka të bëjë me Aktgjykim apo Aktvendim të Gjykatës së Shkallës së dytë, madje nuk është specifikuar as edhe për çfarë kërkese është vendosur nga Gjykata e Apelit.

Nuk është specifikuar nëse Gjykata e Shkallës së Dytë ka vendosur lidhur me ankesat për Aktgjykimin e Themelores ose jo, e madje nuk është specifikuar nëse është vendimi i Shkallës së Dytë apo është Vendim ndaj Vendimit të Themelores për refuzimin e hedhjes së aktakuzës për Gërvallën.

Donika Gërvalla është liruar një muaj pas këtij raportimi nga akuza, për këtë vepër penale, më 19.11.2024, me arsyen se vepra për të cilën akuzohet Ministrja nuk përbën vepër penale.

“Gjykata ka analizuar me vëmendje pretendimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por gjen që të njëjtat pretendime në asnjë provë të vetme nuk mund të vërtetohen se me veprimet e të akuzuarës janë përmbushur elementet e veprës penale ;mosdeklarim i pasurisë’.” – kishte thënë gjyqtari Dibran Jusufi, në shpallje të Aktgjykimit.

Tutje, Jusufi tha se mosdeklarimi i pasaktë i pasurisë së ligjshme është kundërvajtje dhe jo vepër penale.

Lidhur me Vendimin për lirimin e Gërvallës, hulumtuesit kanë konfirmuar ankesat nga palët që nuk janë paraqitur ende.

“Gjykata e Apelit nuk ka pranuar ende ndonjë ankesë ndaj Aktgjykimit, lidhur me rastin në fjalë.” – është përgjigja e Gjykatës së Apelit, në një përgjigje për Kallxo, në muajin dhjetor 2024.

Hulumtuesit janë interesuar për të kuptuar se për çfarë Vendimi të Apelit bëhet fjalë në artikullin e publikuar.

Rasti për të cilin i janë referuar “Gazeta Arbëria” ka të bëjë me ankesën e Donika Gërvallës kundër Vendimit të Themelores për konfirmimin e Aktakuzës, që i kishte refuzuar Gërvallës Kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Konfirmimi i aktakuzës është një vendim procedural që i hap rrugë procesit gjyqësor, por që nuk lidhet me verifikimin e fajësisë.

Pra, Shkalla e Dytë ka vendosur lidhur me atë ankesë për Vendimin për hedhje të aktakuzës, por nuk ka vendosur për çështjen meritore. Pra, nuk është lëshuar për të vërtetuar nëse Gërvalla është fajtore apo nuk është.

“Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, Aktvendimi i ankimuar është i qartë dhe konkret, arsyetimi i tij është në përputhje të plotë me dispozitivin.” – thuhet në Vendimin e Apelit, që kishte vendosur për ankesën për të mos ta hedhur aktakuzën ndaj Gërvallës.

Vendimi i Apelit për të cilin i është referuar faqja në fjalë, i ka dhënë përgjigje ankesës së mbrojtjes së Donika Gërvallës, lidhur me Vendimin e Themelores, që nuk kishte hedhur poshtë aktakuzën.