
Arkiv
Pretendimi i pambështetur për dënimin për vjedhje
Më 16.12.2024 Elez Neziraj (Arkiva), ka postuar një video në Facebook (mysafirin nuk po e njoh) me shkrimin “Pal Lekaj është dënuar me 3 vite e 6 muaj për vjedhjen e 53 milionëve, ndërsa një person i cili thyen shitoren në një fshat rrezikon të dënohet më shumë. A është kjo drejtësi? A është ky shteti që duam?”.
Ky konstatim del të jetë i pa vërtetë pasi që të akuzuarit për rastin e 53 milionëshit asnjëherë nuk janë ngarkuar me veprën penale “Vjedhja”, por me keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hulumtuesit kanë analizuar aktakuzën voluminoze për këtë rast dhe e tëra çfarë kanë parë është vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Aktakuzë ndaj, Pal Lekajt, Nebih Shatrit, Eset Berisha dhe Besim Tahiri, me këtë të pandehurit si në dispozitivët e aktakuzës në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së”- shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale me numër PPS.nr 49/2019.
Hulumtuesit kanë siguruar edhe aktgjykimin dënues ndaj Pal Lekajt, Nebih Shatrit, Eset Berisha dhe Besim Tahirit. Të njëjtit janë dënuar për veprën e specifikuar si në aktakuzë ndërsa asnjëri prej tyre nuk është dënuar për veprën penale të vjedhjes.
Vepra penale e “Vjedhja” dhe vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” janë vepra të ndryshme si nga përmbajtja ashtu edhe nga klasifikimi i tyre në kapitujt e Kodit Penal të Kosovës.
Vepra penale e vjedhjes është e klasifikuar në kapitullin për të drejtat kundër pasurisë, me vjedhje nënkuptohet kur një personi i merret një pasuri që i takon atij, nga dikush tjetër në mënyrë të kundërligjshme.
Kjo vepër është e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tri vite burgim.
“VEPRAT PENALE KUNDËR PASURISË – Vjedhja – 1. Kushdo që personit tjetër ia merr pasurinë e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë (50) Euro apo më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet”- thuhet në nenin 313 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa vepra penale e “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” është vepër e cila klasifikohet në kapitullin e Kodit Penal tek pjesa e veprave penale kundër korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.
Vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është kur një person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën që mban, ose i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat që i janë të përcaktuara me ligj ose me rregullore me qëllim që me përfitu për vete ose për personin e tretë.
Kjo vepër me Kodin e ri Penal të Kosovës dënohet deri në 8 vite, ndërsa me Kodin e vjetër penal të vitit 2012 (tashmë i shfuqizuar) dënohej deri në 5 vite burgim.
“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar – Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”- thuhet në nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës.
Katërshja e akuzuar për 53 milionëshin akuzoheshin me Kodin e vjetër Penal, pasi koha kur ishte kryer vepra penale llogaritej të jetë 2017-2018, dhe aplikohen dispozitat që kanë qenë në fuqi në kohën e pretenduar se është kryer vepra penale, shto kësaj që në rast se kemi kësi lloj dallimesh në dënim, ligji ka paraparë që për të akuzuarin duhet gjithnjë të zbatohet ligji i cili është më i favorshëm.
Gjykata e Prishtinës në aktgjykimin e përpiluar kishte theksuar se të akuzuarit janë fajtor pasi kishin tejkaluar kompetencat zyrtare duke e nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.
“Të pandehurit, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në cilësinë e personave zyrtarë në bashkëveprim dhe me dashje, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat zyrtare ashtu që e kanë nënshkruar marrëveshjen e datës 27.09.20217 në emër të Ministrisë së Infrastrukturës si punëdhënës në njërën anë dhe kompanisë “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër”- thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, marrëveshja për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë të tjera, është e kundërligjshme, duke dhënë si arsyetim se kur ishte nënshkruar marrëveshja nuk ishte përcaktuar kostoja financiare. Mospërcaktimi i kostos financiare në një marrëveshje sipas Gjykatës është në kundërshtim të plotë me rregullat e prokurimit publik.
“E njëjta marrëveshje është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik për shkak të mungesës së kushtit – elementit kostos financiare, andaj e njëjta marrëveshje është kundërligjore”- arsyeton tutje Gjykata.
Tutje ky artikull ka pasaktësi edhe në citimin e dënimit që ju kishte shqiptuar Pal Lekajt për këtë rast.
Artikulli thotë se Lekaj është dënuar me 3 vite e 6 muaj dënim me burgim por në fakt Lekaj është dënuar me 3 vite e 8 muaj dënim me burgim, kurse si dënim plotësues i është shqiptuar ndalimi i ushtrimit të funksionit në Administratë Publike në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj pasi të mbahet dënimi me burgim.
Në aktgjykimin e shpallur më 31.01.2024 këshilltari i tij politik, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri ishin dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Rasti i 53 milionëshit me katër të akuzuar tashmë gjendet për trajtim në Gjykatën e Apelit ku janë duke u shqyrtuar ankesat e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre lidhur me aktgjykimin dënues të Themelores.
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare më datë 29 shtator të vitit 2017.
Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.
Përfundimi i autostradës me kontratën bazë e cila ishte lidhur në vitin 2014 parashihej të përfundonte më 18 janar të vitit 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor të vitit 2018.
Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosto financiare që ishte në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.
Tutje aktakuza thotë se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik Eset Berisha që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka” për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.
Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor të vitit 2018.
Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare lidhur me këtë projekt e kishin, Komiteti Drejtues Ndërministror i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.
Sipas prokurorisë pagesa për shumën prej 53 milionë eurove ishte në kundërshtim të plotë me rekomandim e kompanisë mbikëqyrëse të projektit e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, “Hill International”. Sipas këtij rekomandimi të bërë në vitin 2017 nga “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t`i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro tjera në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit, “Hill” i kishte konsideruar si të pa bazuara). Këtë rekomandim sipas Prokurorisë e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.
Këtë opinion prokuroria thotë që Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së, të mbajtura për këtë arsye.
Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij, Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli ndryshimin e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.
“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” dhe Departamenti i prokurimit Publik si nënshkrues i kontratës të cilët posedojnë njohuri të specializuar”- përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Avdi Kamerolli më datë 01.06.2018 me numër protokolli 5124.
Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë të ketë pasur drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha {përmes dërgimit të një draft opinioni të shkruar në email} dhe Pal Lekaj, ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI.
Kështu Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së duke fshehur dhe mos paraqitur para anëtarëve të tjerë të këtij komitetit gjendjen reale {respektivisht opinionin e kompanisë “Hill International”}, e duke i prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit të të njëjtës datë 01.06.2018 por që mban numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka-s” për t`iu paguar shuma prej 53 milionë eurove ashtu siç kishin kërkuar.
Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro, më të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas prokurorisë, më aprovimin e pagesës prej 53 milionë euro, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.
Kështu prokuroria në përfundim ka ardhë se katër të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Por, në bazë të përshkrimit të dispozitat të aktakuzës dhe aktvendimit të prokurorit të shtetit të datës 7 gushtit të vitit 2019, del se i pandehuri Eset Berisha ka ushtruar ndikim tek drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, gjë për të cilën shprehimisht në aktakuzë nuk specifikohet siç ndodhë me përshkrimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dënim maksimal të të akuzuarve në seancën kur janë dhënë fjalët përfundimtare kishte kërkuar prokurorial Speciale, por që në aktakuzë prokuroria ka kërkuar dënimin plotësues për të pandehurit duke kërkuar nga Gjykata që urdhëroj të pandehurit që në mënyrë solidare të bëjnë kompensimin e humbjes apo dëmit që i është shkaktuar Buxhetit të shtetit e që sipas aktakuzës dëmi monetar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit del të jetë 38 milionë euro.
Si dënim plotësues Prokuroria Speciale ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike për të akuzuarit.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK