Pretendimi i pambështetur për 'anarki në sistemin e drejtësisë'

Kosova Sot Online” (arkiva)  ka publikuar një artikull me autor Hasan Preteni, më 21.07.2024 me titullin: “Drejtësia e Kosovës e kapur nga krimi i organizuar, sistemi është në anarki dhe nuk i ofron llogari askujt”.

Artikull i publikuar nga autori nuk përmbanë asnjë të dhënë në të cilën do të mbështetej pretendimi i tij që sistemi nuk ofron llogari dhe nuk raporton para askujt. 

Verifikuesit e fakteve kanë kontrolluar dhe kanë konstatuar se sistemi i drejtësisë nuk ka obligime për të raportuar për shkak se sistemi ka të ndërtuar sistemin e vet të disiplinimit dhe llogaridhënies.

Kushtetuta e Kosovës ka njohur sistemin si të pavarur nga mekanizmat e tjerë shtetëror.

“Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm”-  thotë neni 102 në kapitullin për sistemin e drejtësië, ku flet për Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor.

Parime të njëjta se sistemi i drejtësisë funksionin në baza kushtetuese e ligjore ka specifikuar edhe raporti i progresit i vitit 2023 për sistemin e drejtësisë. 

“Kushtetuta dhe korniza ligjore në fuqi përcaktojnë parimet e pavarësinë dhe paanshmërinë. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të siguruar respektimin e këtyre parimeve në praktikë dhe për të mbrojtur në mënyrë efektive sistemin gjyqësor nga presioni dhe ndërhyrjet e panevojshme”- thuhet në raportin e progresit faqe 18.

Tutuje në raportin e progresit në faqen 19 flitet për procedurat e rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas raportit, procesi për rekrutimin e prokurorëve e gjyqtarëve organizohet në mënyrë të pavarur. 

Një pretendim tjetër i pambështeur është që prokuroritë “Kujdesen” që t`i sanksionojnë ata që nuk e respektojnë ligjin.

Personat të cilët bien ndesh me ligjin në Kosovë nuk sanksionohen nga Prokuroria, por nga Gjykata si institucioni i vetëm kompentent për të shqiptuar dënime.

“Vetëm gjykata kompetente, e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj mund t’i shqiptojë dënim ose sanksion tjetër penal kryerësit të veprës penale në procedurë të filluar dhe të zbatuar sipas këtij Kodi”- thuhet në nenin 2 të Kodit të procedurës penale. 

Brenda këtij artikulli gjendet edhe fjalia e pambështeur se “Shtylla shtetërore që nuk raporton në Kuvend”. 

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës sipas neni 108 të kushtetutës i drejohet Kuvendit një herë në vit. 

“Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës së paku një herë në vit lidhur me Sistemin Gjyqësor”- thuhet në parimet kushtetuese të Kosovës.

Artikulli ka prekur edhe temën e pagesës së akterëvë që funksionojnë në sistemin e drejtësisë, i cili pretendim del të jetë plotësisht i pa-argumentuar “Kushtet e punës më të mirat, pagat më të larta, privilegje në pafundësi, paga dhe pas përundimit të mandatit”. 

Gjyqtarët e prokurorët mandatin e tyre e përfundojnë me shkarkim, vdekje, dorëheqje pensionim dhe kur nuk arrijnë të emërohen me mandat të përhershëm.

Lidhur me pagat, ligji për gjykatat ka paraparë dispozitën e specifikuar, dhe thekson se një gjyqtar i Gjykatës Themelore do të merr pagë ekuivalente në vlerë prej 80% të pagës së kryetarit të Gjykatës.

Paga e njëjtë mund të zvogëlohet vetëm me vendime disiplinore që i shqipton organi kompetent për gjyqtarin ose prokurorin.  Sipas ligjit për pensionet, pas pensionimit gjykatësit dhe prokurorët kalojnë në pensione normale si të gjithë zyrtarët e tjerë shetëror.

Pretendim tjetër që nuk gjen mbështje në asnjë fakt e argument është: “Efikas për vete e katastrofal për të tjerët”. 

Raporti i progresit i vitit 2023 ka ardhë me shifra se gjykatat, Themelore, Apelit dhe Gjykata Supreme gjatë vitit 2022 kanë rritje në efikasitet në krahasim me vitin 2021.

Rritje në efikasitet të punës mund të vërehet lehtësisht në faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2024.

Gjatë vitit 2024 gjykatat themelore të Kosovës kanë kryer  47 mijë lëndë në të gjitha fushat, si ato penale, civile, komerciale.

Gjykata e Apelit ka zgjidhur plotë 5,368 mijë lëndë gjatë kësaj periudhe kohore. Kurse Supremja ka zgjidhur plotë 1,155 lëndë.