Pamje të personave të armatosur deri sa nisen drejtë manastirit të Banjskës, data 24.09.2023, ora 03:59:17

Pretendimi i pambështetur lidhur me rastin e gjykimit në rastin ‘Banjska'

Portali “Indeksonline” më 19.10.2024 ka publikuar një artikull në të cilin flitet për rastin e gjykimit në mungesë lidhur me 42 të akuzuarit në rastin “Banjska”.

Titulli i portalit që ka publikuar lajmin thotë se “Procesi për rastin “Banjska”, 42 të dyshuarve nuk do t’u bëhet gjykimi në mungesë!”

Verifikuesit e fakteve kanë hulumtuar për të parë nëse një deklarim i tillë qëndron ose nëse është thënë nga Gjykata Supreme ose Gjykata Themelore, gjë e cila nuk citohet në portali në fjalë.

Kujtojmë që lidhur me rastin e sulmit terrorist të Banjskës të 24.09.2023, janë të akuzuar 45 persona, por vetëm Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq gjenden në masën e paraburgimit, kurse pjesa tjetër e të akuzuarve janë në arrati.

Një vit pas, më 25.09.2024 ishte përcaktuar të mbahet seanca për shqyrimin fillestar ndaj grupit të të akuzuarve por që nuk kishte arritur të mbahet, kjo pasi disa nga avokatët e të akuzuarve kishin deklaruar se aktakuza i është dorëzuar vetëm pak ditë para mbajtjes së shqyrtimit fillestar.

Krahas kësaj, gjyqtari i çështjes, Arben Hoti kishte thënë në seancë se do të bëjë kërkesë në Gjykatën Supreme për të dënë mendim juridik nëse duhet të vazhdohet me gjykim në mungesë ndaj pjesës prej 42 të akuzuarve të tjerë që janë në arrati.

Gjykata Supreme e Kosovës kishte ardhur me një përgjigje për këtë kërkesë të Themelores, duke mos u lëshuar në komentim të dispozitës ligjore, duke ia lënë në diskrecion Gjykatës Themelore që të vendos në mënyrë të pavarur për procedimin e çështjes.

“Gjykata Supreme përmes përgjigjes me shkrim e ka njoftuar paraqitësin e kërkesës, se asnjëherë nuk jep mendime juridike për dilemat që i ka gjykata e shkallës së parë në interpretimin e ndonjë dispozite gjatë procedimit të çështjeve të hapura penale, e të cilat me vonë do të mund te ngritën edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës. Prandaj, Gjykata Supreme, konsideron se është në diskrecionin e gjyqtarëve që të vendosin ashtu siç e vlerësojnë” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Pra, Gjykata Supreme nuk ka nxjerrë opinion ligjor, lidhur me kërkesën e Gjykatës Themelore për të bërë interpretimin e ligjit nëse duhet të vazhdohet gjykimi në mungesë për 42 personat e tjerë të akuzuar.

Gjykata Supreme nuk ka pohuar e as nuk ka mohuar nëse duhet të gjykohen në mungesë pjesa e të arratisurve që akuzohen se kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë. Supremja ka lënë në diskrecion të gjyqtarit të çështjes për vendimmarrje.

Verifikuesit e fakteve janë siguruar që të marrin një përgjigje nga Gjykata Themelore e Prishtinës nëse është marrë ndonjë vendim së fundmi për gjykimin e 42 të akuzuarve të këtij rasti.

Kryetari i trupit Gjykues Arben Hoti në një përgjigje me datë 26.10.2024 ka konfirmuar se deri me këtë datë nuk ka marrë vendim për këtë çështje.

“Në cilësinë e KTGJ në këtë rast penal, pas përgjigjes nga Gjykata Supreme, jam në fazën e studimit të rastit në lidhje me gjykimin në mungesë dhe sapo të merret ndonjë vendim, do të informoheni me kohë” – ka thënë gjyqtari Hoti.

Çka ndodhi në Banjskë?

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.

Të arrestuar për këtë rast janë vetëm Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq. Ata gjenden në masën e paraburgimit.

45 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale janë Millan Radoiciq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vucetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momcilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, person juridik “R” dhe person përgjegjës është R.S.

Më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.

Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit.

Që nga shtatori i 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.

Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.