Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pretendimet e pambështetura se sistemi i drejtësisë nuk vepron sipas ligjit dhe kushtetutës

Më 02.07.2024, faqja e internetit ‘Kosova-sot.info’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Shteti në gjendje fatale nga sistemi i drejtësisë i kapur nga nëntoka kriminale”.

Artikulli në përmbajtjen e tij paraqet një opinion të Reshat Badallajt, autor që publikon opinione në këtë faqe të internetit.

Në përmbajtjen e tij artikulli konstaton se “Sistemi i kalbur i drejtësisë nuk vepron assesi sipas ligjeve dhe sipas Kushtetutës së vendit, por është i kapur nga nëntoka kriminale”.

Në kontrollimin fillestar të fakteve verifikuesit e KALLXO.com kanë verifikuar nëse konstatimi që sistemi është i kalbur është i saktë. 

Raporti i parë që është kontrolluar për të verifikuar këtë informacion është raporti i Komisionit Evropian. Ky raport nuk konstaton që sistemi i drejtësisë është i kalbur, mirëpo nënvizon progres në reformën në sistemin e drejtësisë.  

“Kosova është në fazën e hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionon mirë. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka arritur progres të kufizuar, pavarësisht rritjes së raportit të seancave gjyqësore produktive, ritmit më të shpejtë të caktimit të seancave gjyqësore dhe përmirësimeve në rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë vërejtur disa përmirësime në funksionimin e gjyqësorit, si dhe në hetimin dhe ndjekjen penale në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme për të forcuar lirinë e shprehjes”- thotë raporti i vitit 2023 i Komisionit Evropian.

Një raport tjetër i hartuar nga institucionet ndërkombëtare është “Pulsi Publik i UNDP-së”. 

Në fushën e kënaqshmërisë me punën e institucioneve Pulsi Publik tregon që kënaqshmëria e qytetarëve me punën e institucioneve të drejtësisë ka arritur në shkallën 26 në muajin maj 2024.

NT: Pretendimet pa fakte që sistemi punon në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën

Deklarata është vlerësuar edhe në përmbajtjen tjetër në të cilën autori pretendon që sistemi i drejtësisë nuk vepron në përputhje me ligjin dhe kushtetutën e vendit.

Mbikëqyrja e zbatimit të kushtetutës së vendit i është besuar Gjykatës Kushtetuese.

Kjo gjykatë kontrollon në bazë të ankesave secilin rast në të cilin është pretenduar se ka shkelje të kushtetutës nga organet gjyqësore.

Në platformën e Gjykatës Kushtetuese janë të publikuara të gjitha vendimet që gjykata ka vendosur për ankesat ndaj vendimeve të sistemit të drejtësisë.

Verifikuesit e Kallxo.com kanë kontrolluar në secilin prej 431 vendimeve të cilat janë publikuar për çështjet penale në faqen e Gjykatës Kushtetuese. Sipas të dhënave nga 431 rastet, vetëm në 22 raste është konstatuar shkelje e rregullave të procedurave dhe gjykimeve ndërsa pjesa më e madhe e aktgjykimeve kanë qenë në rregull ose ankesat janë realizuar gabimisht.

Sipas statistikave vendimet e gjykatave në këto 22 raste kanë shkelur të drejtat kushtetuese të palëve, kështu duke marrë vendime që rastet të kthehen për shqyrtim përsëri. 

Në çështjet administrative nga analizimi i mbi 280 vendimeve të Kushtetueses, vetëm në 38 prej tyre janë konstatuar shkelje nga gjykata.

Parimet Kushtetuese parashohin që sistemi i drejtësisë është unik, është i pavarur dhe i paanashëm duke ju siguruar qasje të barabartë në gjykatë secilit person i cili është palë në procedura. Tutje kushtetuta ka paraparë edhe mënyrën se si do të operojnë gjykatat e Kosovës. Sipas parimit kushtetues që gjendet në kapitullin “Sistemi i Drejtësisë” thuhet se gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit.

“Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit”- thotë neni 102 pika 2 dhe pika 3 e Kushtetutës së Kosovës.

Në pikën katër të nenit të apostrofuar thuhet se gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të paanshëm dhe të pavarur.

“Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm”- thotë neni 102 pika katër e Kushtetutës së Kosovës.

Pretendimet e pabazuara ‘vendimet nxirren në kundërshtim me ligjin’

Parime këto kushtetuese të cilat sigurojnë që gjyqtarë e prokurorë të vendit duhet të jenë plotësisht të pavarur nga ndikime kriminale e politike, në ushtrimin e profesionit të tyre.

Tutje, nëse referohemi tek ligji për gjykatat theksohet në mënyrë decidive se vendimet gjyqësore hartohen në formë të shkruar në përputhje me ligjet.

faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë të publikuara rreth 16,6102 mijë aktgjykime nga të gjitha nivelet e Gjykatave, duke treguar se gjykatat po bëjnë punën e tyre.

Konstatimi se vendimet gjyqësore nxirren në kundërshtim me ligjin i takojnë në vazhdimësi gjykatave më të larta. 

Nga të dhënat e ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjithsej vetëm në Gjykatat e Shkallës së Parë janë pranuar rreth 60 mijë lëndë vetëm për t`u trajtuar vetëm në vitin 2024.

Kallxo.com ka kërkuar nga Gjykata e Apelit statistika për mënyrën e vendosjes së lëndëve. 

Në përgjigjen e datës 31 korrik 2024  Gjykata e Apelit ka konfirmuar se 75% e rasteve që janë referuar në Gjykatën e Apelit për të shqyrtuar vendimet e Themelores – Departamenti Special, janë vërtetuar. Ndërsa vetëm 15% e tyre janë kthyer për rigjykim dhe në to Gjykata ka gjetur gabime procedurale.

Po ashtu, 72% e aktgjykimeve të gjykatave të shkallës së parë – departamenti i krimeve të rënda janë vërtetuar nga Gjykata e Apelit, ndërsa janë kthyer në rigjykim vetëm 12% e aktgjykimeve të atakuara. 

Gjendja ende më e mirë qëndron në departamentin për të mitur, ku 81 për qind e aktgjykimeve të nxjerra nga departamenti për të mitur janë vërtetuar, kurse vetëm 8% e rasteve janë kthyer në rigjykim. Ndërsa në departamentin e përgjithshëm vetëm 61 % e aktgjykimeve të Gjykatave të shkallës së parë janë vërtetuar duke i kthyer rastet në rigjykim vetëm në 7% të tyre.