Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay
Pretendim i gabuar se akuzat e Prokurorisë Speciale nuk ka kush t’i gjykojë
Analisti Hasan Preteni ka publikuar një artikull në oportalin “Kosova Sot Online” i cili flet për rolin e Prokurorisë Speciale dhe se nuk ka kush t’i gjykojë ato aktakuza.
“Nëse kemi Prokurori Speciale e pse nuk kemi edhe Gjykatë Speciale për t’i Gjykuar aktakuzat e tyre. Cirk organizativ i qëllimshëm” – kishte shkruar në hyrjen e tekstit analisti Hasan Preteni.
Pretendimi se ka Prokurori Speciale, por nuk ka edhe organ i cili i shqyrton akuzat e Prokurorisë Speciale, del të jetë i pavërtetë, pasi brenda Gjykatës së Prishtinës, ekziston departamenti Special i cili ekskluzivisht merret vetëm me aktakuzat që i ngrit Prokuroria Speciale.
Këtë gjë më së miri e demanton Ligji për Gjykatat në nenin 13, i cili flet për organizimin e brendshëm të Gjykatës së Prishtinës. Në këtë gjykatë janë tri departamente të cilat nuk i ka asnjë gjykatë tjetër që operon në territorin e Kosovës, Departamentin Special, Administrativ dhe Departamenti për çështje ekonomike që më vonë është shndërruar në Gjykatë Komerciale.
“Departamentet në vijim veprojnë brenda gjykatave themelore, me qëllim të ndarjes së çështjeve sipas natyrës së tyre: 1.1. Në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, vepron Departamenti Special për Lëndët në Kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me kompetencë për tërë territorin e Republikës së Kosovës”- thotë paragrafi 1 i neni 13 të ligjit për gjykatat.
Në artikullin e publikuar nga analisti në fjalë thuhet se “(PSRK-n) e formuan këtë prokurori me qëllim të frikësimit të kundërshtarëve politik, e formuan për të krijuar përshtypjen se këtu do të luftohet krimi i organizuar”.
Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka mandat për t’i gjykuar të gjitha veprat penale dhe krimet që konsiderohen më të rënda dhe për të cilat departamentet si ajo e krimeve të rënda dhe departamenti i përgjithshëm nuk mund t’i gjykojnë për shkak të kufizimeve ligjore.
Prokuroria Speciale ka mandat për t’i hetuar veprat penale të një kategorie të rëndë siç janë, krimi i organizuar, veprat penale kundër rendit kushtetues, krimet e luftës, veprat penale për sulm terrorist dhe raste të tjerë.
Në ligjin për Prokurorinë Speciale, specifikohen qartë në nenin 9, veprat për të cilat Prokuroria Speciale mund t’i hetoj.
“Prokuroria Speciale është kompetente të hetojë dhe ndjekë veprat penale sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit penal si në vijim: 1.1. veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës; 1.2. gjenocidi; 1.3. krimet kundër njerëzimit; 1.4. krimet e luftës në kundërshtim të rëndë me konventat e Gjenevës, krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktin e armatosur ndërkombëtar, krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë në karakterit ndërkombëtar; 1.5. sulmet në konfliktet e armatosura që nuk kanë karakter ndërkombëtar kundër instalimeve që përmbajnë forca të rrezikshme; 1.6. rekrutimi ose regjistrimi i fëmijëve në konfliktin e armatosur; 1.7. përdorimi i mjeteve ose i metodave të ndaluara të luftimit; 1.8. organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”- këto janë vetë disa prej veprave penale për të cilat ka kompetencë ti hetoj Prokuroria Sepciale, thuhet në paragrafin 1 të nenit 9 të ligjit për PSRK-n.
Artikulli tutje vijon me të pa vërteta siç është “Nga formimi i kësaj prokurorie, nuk ka pasur asnjë aktakuzë që ka përfunduar me aktgjykim dënues, mos të flasim për konfiskime”.
Edhe ky pretendim del të jetë i pavërtetë pasi që nga praktika del se kemi raste që nga aktakuzat e Prokurorisë Speciale, ka pasur dënime në shkallë të parë e të dytë duke u vërtetuar dënimet madje edhe në shkallën e tretë.
Verifikuesit e fakteve kanë siguruar të dhëna statistikore nga Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës për të parë se sa aktakuza janë ngritur, sa aktgjykime dënuese dhe sa liruese janë marrë nga Gjykata.
Nga janari i vitit 2022 e deri më 30.09.2024, nga 164 lëndë të zgjidhura në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, 101 aktakuza kanë përfunduar me aktgjykim dënues, për 23 rasti Gjykata e Prishtinës ka nxjerrë aktgjykime lirues, për një rast është nxjerrë aktgjykimi refuzues dhe për 39 lëndë të tjera ka vendime të ndryshme.
Rasti më i freskët del të jetë rasti i vjedhjes së thesarit të shtetit, ku Gjykata Themelore më 07.12.2022 kishte gjetur fajtor Labinot Grudën dhe Kadri Shalën, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Gjykata e kishte dënuar Labinot Grudën me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 11 viteve dhe dënim me gjobë në vlerën 8,500 euro. Ndërsa, të pandehurin Kadri Shala gjykata e dënoi me dënim unik, dënim me burg në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe dënim me gjobë në vlerë 33 mijë euro.
Ky vendim ishte vërtetuar nga Apeli me datë 30.06.2023 dhe nga Supremja me datë 11.01.2024.
Rast tjetër ku akuza e Prokurorisë ka kaluar me aktgjykim dënues është edhe rasti i ish- gjyqtarit, Sali Berisha për marrje ryshfeti.
Berishën Gjykata Themelore e kishte dënuar me 2 vite e 6 muaj dënim me burgim për marrje ryshfeti ndërsa Apelit ja kishte ulur dënimin në 2 vite, pra duke e lënë në fuqi vendimin dënues ndaj Berishës.