Arkiv - Asamblisti i AAK-s[, Ilir Baldedaj, Foto: Kallxo.com

Prek fundin gjykimi i asamblistit për laptopët e Komunës së Prizrenit

Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, i cili po gjykohet për moskthimin e laptopëve të Komunës në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës, ka dorëzuar fjalën përfundimtare në Gjykatën e Prizrenit.

Ilir Baldedaj, që sot mban postin e asamblistit nga radhët e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, akuzohet për kohën sa mbante postin e drejtorit të Administratës nën qeverisjen e Ramadan Mujës.

Nga sasia totale prej 43 laptopësh, 40 prej tyre u ishin ndarë asamblistëve të Asamblesë së Prizrenit në qeverisjen e kaluar, e njohur si qeverisja Muja 2.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Baldedaj, avokati Visar Haxhibeqiri, ka dorëzuar me shkrim fjalën e tij përfundimtare.

Edhe prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, kishte përgatitur me shkrim fjalën e saj përfundimtare dhe të njëjtën ia ka dorëzuar Gjykatës që të jetë pjesë e shkresave të lëndës.

Ndërsa, data 15 janar është caktuar për shpalljen e aktgjykimit nga gjyqtari Xheladin Osmani.

Baldedaj kishte mohuar akuzën e Prokurorisë.

Prokuroria në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj një ish-zyrtari të lartë të Komunës së Prizrenit pas një hulumtimi të KALLXO.com në shkurt të vitit 2020 se si asamblistët e mandatit të kaluar nuk i kanë kthyer laptopët pas përfundimit të mandatit.

Hulumtimi tregonte se kjo përbënte shkelje ligjore sipas rregullores për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizatat buxhetore të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Prokurorisë në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Pos 40 laptopëve të pakthyer, Prokuroria e Prizrenit pretendon se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë ndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

Tetë prova materiale dhe 40 vërtetime mbi pranimin e laptopëve i kishte propozuar prokurorja Ervehe Gashi në aktakuzën ndaj asamblistit të Asamblesë së Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Në fillim të procedurës, gjyqtari Xheladin Osmani e kishte hedhur poshtë akuzën në mungesë të provave.

Pas ankesës së prokurores së rastit, Ervehe Gashi, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje dhe për herën e dytë gjyqtari Xheladin Osmani kishte vërtetuar aktakuzën për të filluar shqyrtimin kryesor të rastit.