Gjykata Themelore e Pejës. Foto: Atdhe Mulla.

Pranon se prezantoi dokumente të falsifikuara për veteran të UÇK-së, dënohet me 800 euro

Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor të akuzuarin Ruzhdi Gashi nga fshati Sferkë i Klinës, lidhur me akuzën se ka prezantuar dokumente të falsifikuara për të përfituar statusin e veteranit të UÇK-së.

Ai u dënua me 3 muaj burg, e qe me pëlqimin e tij u zëvendësua me gjobë në shumë prej 800 eurove.

Përveç dënimit kryesor, Gjykata i shqiptoi të akuzuarit edhe dënimin plotësues për publikimin e aktgjykimit.

Në seancën e sotme gjyqësore Ruzhdi Gashi pranoi fajësinë për veprën penale qe i vihet në barrë.

“Ndihem fajtor dhe shumë i penduar”, deklaroi ai.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Për hetimin e këtyre dosjeve Prokuroria e Pejës ka caktuar dy prokurorë me vendim.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur mbi 40 aktakuza lidhur me këtë dosje.