Zenë Halilaj në gjyq

Postieri i komunës së Drenasit nuk ndihet fajtor

Postieri i Komunës së Drenasit, Zenë Halilaj, është deklaruar i pafajshëm sot në gjykatën në Prishtinë ndaj akuzave për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria në Prishtinë po e akuzon Zenë Halilajn se më 4 gusht 2016 në cilësinë e postierit të Komunës së Drenasit kishte keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që vetes ose personave tjerë t’u sjellë përfitim ose dobi pasurore.

Halilaj u deklarua “i pafajshëm plotësisht” kur u pyet nga gjykatësja e rastit Violeta Namani lidhur me fajësinë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Halilaj nuk e kishte përmbushur detyrën e tij për të dorëzuar fletëdërgesën e përmbarimit në Drejtorinë Komunale të Arsimit.

Aktakuza thotë se mosdorëzimi i kësaj fletëdërgese ka bërë që urdhri përmbarimor të bëhet i plotëfuqishëm dhe si pasojë kompania “Vëllezërit Thaqi” përfitojnë shumën prej 8,629 euro në dëm të komunës.

Seanca e radhës në këtë çështje penale u caktua për 7 korrik.