Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Policit të vdekur nga Covid-19 i refuzohet pensioni

Komisioni për ankesa i Policisë së Kosovës, ka refuzuar ankesën e avokatit Meshari Selimaj, për kërkimin e 80% të pagës për familjen e ish-policit Ilir Gjokaj. Ky i fundit kishte vdekur pasi ishte infektuar nga virusi COVID-19. Selimaj paralajmëroi se do ta padisë Policinë e Kosovës për kërkimin e të drejtës në pension.

Në muajin korrik të këtij vitit KALLXO.com kishte raportuar se polici nga Gjakova, Ilir Gjokaj, vdiq pasi ishte diagnostifikuar me coronavirus.

Pas vdekjes së tij, Policia e Kosovës ka marrë vendim dhe vdekjen e zyrtarit policor e kanë kategorizuar si “vdekje në detyrë”.

Sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, ky kategorizim i zyrtarit policor”Vdekje në Detyrë” nënkupton se bashkëshortja e tani të ndjerit dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare, kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 60% të pagës bruto.

Mirëpo, familjarët të ndjerit, kanë kërkuar që sipas Ligjit për Policinë e Kosovës i ndjeri të kategorizohet si “I vdekur në kryerje të detyrës”, që nënkupton se ata kanë të drejtën në pension familjar deri në vlerën 80% të pagës bruto.

Kundër këtij kategorizimi familja e tani të ndjerit, përmes përfaqësuesit të tyre avokatit Meshari Selimaj, e kishte kundërshtuar me ankesë, e cila ankesë është refuzuar si e pa bazuar nga Komisioni për Ankesa i Policisë së Kosovës.

Përmes kësaj ankese, ishte kërkuar që Komisoni për Ankesa dhe Shpërblime i Policisë së Kosovës në Prishtinë, ta ndryshojë vendimin e Komisionit për Përcaktimin e Kategorisë së Vdekjes së zyrtarit policor në detyrë apo në kryerjen të detyrës, duke i njohur të drejtën në pension familjar bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij të mitur, pra familjes së ngushtë të të ndjerit, i vdekur sipas pretendimeve të familjes në kryerjen e detyrës zyrtare.

Tani avokati Meshari Selimaj ka treguar për KALLXO.com se do të paraqes padi ndaj Policisë së Kosovës, për kërkimin e së drejtës së pensionit me 80% të shumës së pagës, nën pretendimin se i njëjti kishte vdekur në kryerjen e detyrës zyrtare si pasojë e infektimit me Covid-19.

Për vdekjen e policit Ilir Gjokaj, pas dyshimit të familjarëve Prokuroria ka hapur një hetim penal për të zbardhur dyshimet se ai nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor.

KALLXO.com kishte mësuar se hetimet janë hapur dhe se dyshimet janë në një bombolë të oksigjenit, e cila nuk kishte funksionuar gjatë transportit të policit.

Zyrtari policor i Njësisë së Reagimit të Shpejtë, Ilir Gjokaj kishte vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus.

Ai fillimisht ishte shtrirë në Spitalin e Gjakovës, mirëpo pas përkeqësimit të gjendjes së tij ishte transferuar në Klinikën Infektive në QKUK, ku edhe kishte vdekur.

Policia e kishte konfirmuar edhe hapjen e hetimeve për “trajtim të papërgjegjshëm mjekësor”.

Këtë rast po e hetojnë Sektori i Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me Prokurorinë.