Foto: KALLXO.com

VIDEO: Njësitë Speciale munden nga kadetët

Tre gola u shënuan në ndeshjen finale mes njësiteve policore në kuadër të një turneu ceremonial.

Njësitë Speciale, ajo e Drejtorisë Rajonale të Prishtinës si dhe kadetët e rinj të policisë u ballafaquan mes vete të enjten në një ndeshje futbolli.

Kjo ndeshje u zhvillua në kuadër të aktiviteteve gati një javore të policisë për nder të 20 vjetorit të themelimit të saj.

Kadetët e rinj të policisë morën trofeun kryesor të turneut.

Në lidhje me fitoren e djelmoshave të rinj në polici, i kënaqur u shpreh edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Ai tha se ka ndjekur me emocion ndeshjen duke e quajtur lojë fer dhe me energji.

“Jam shumë i lumtur që ishte një lojë shumë e mirë, shumë fer e me energji. Jam shumë i lumtur që fitoi më i miri, fitoi e ardhmja e policisë Akademia Policore dhe gjithmonë duke llogaritur që gjeneratat e reja të jenë më të mira se ne që jemi këtu”, tha drejtori Qalaj.

Ai shtoi edhe se janë duke punuar në vazhdimësi që të nxisin të rinjtë të jenë pjesë e policisë.

“Qëllimi ynë kryesor është që ta përtërijmë organizatën në vazhdimësi dhe po bëjmë përpjekje që t’i nxisim njerëzit të aplikojnë në polici, kemi nevojë për polic të rinj e të mirë gjithashtu edhe police të reja”, tha tutje Qalaj.

Foto: KALLXO.com

E kadeti dhe kapiteni i skuadrës së tij në këtë finale, Qëndron Krasniqi, i cili ka hyrë në polici me qëllimin që t’i shërbejë vendit, tha se kjo ndeshje tregoi kolegialitet si dhe ishte një argëtim.

“Është një ndjenjë që nuk përshkruhet, dhe të gjithë këtu jemi kolegë, tani ne jemi në përfundim të trajnimit dhe secili këtu jemi koleg ka qenë një lojë argëtuese mes kolegëve”, tha Krasniqi.

Java e shënimit të 20 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, shënoi shumë aktivitete të po këtij institucioni.

Ceremonia kryesore do të mbahet ditën e nesërme.