Tri raste të dhunës në familje, arrestohen dy persona

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24-orët e fundit.

Rastet kanë ndodhur në Fushë Kosovë dhe Rahovec, ndërsa janë arrestuar dy persona.

Njëri person i arrestuar në Fushë Kosovë, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka shqetësuar ish- bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare, duke shkuar tek shtëpia e saj dhe duke e nxjerre nga shtëpia”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër të dhunës në familje të raportuar në Fushë Kosovë, një grua ka lajmëruar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti. Nuk raportohet për lëndime. Me vendim të prokurorit ka shkuar në procedurë të rregullt.

Ndërsa, në Rahovec Policia ka arrestuar një person, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Policia bën të ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.