Ilustrim

Tetë persona në pranga nga aksioni i policisë kundër lojërave të fatit

Tetë persona janë arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Kosovës, në një aksion të zhvilluar në 13 lokacione.

Më anë të një njoftimi të policisë thuhet se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.

Me datë 22.8.2019, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, në kuadër të Policisë së Kosovës, ka zbatuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prizren  për urdhër-kontroll në 13 lokacione, lidhur me dyshimet e bazuara për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe gjatë operacionit janë arrestuar tetë persona.

Të dyshuarit janë: 42 vjeçari me inicialet B. M, 21 vjeçari me inicialet F. K, B. M 43 vjeç, F. H 43 vjeç, L. A 43 vjeç, A. K 23 vjeç, A. B, 36 vjeçari A. B dhe F. S 48 vjeç.

Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit në tetë lokacione janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi relevante si pesë shtëpiza të kompjuterit, 11 telefona mobilë, 485 euro dhe tiketa të lojërave të fatit.

“Në lidhje me këtë operacion janë intervistuar personat e dyshuar, ndërsa për ecurinë e zbatimit të urdhër-kontrollit në vazhdimësi është informuar prokurori i shtetit dhe me vendim të prokurorit  shtatë (7) nga personat e arrestuar  janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në zbatim të urdhëresës kanë qenë të angazhuar zyrtarë policorë të njesive kompetente, të asistuar nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit si dhe Njësia për Krime Kibernetike e Policisë së Kosovës.

“Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion  në Prizren do të vazhdojë me veprime hetimore në kompletim dhe referim të rastit në Prokurori”, thuhet në fund të njoftimit.