Suspendimet në Gjakovë: Kamerat e Policisë filmuan dhunën mbi të dyshuarin në stacion

Burime të KALLXO.com brenda Inspektoriatit Policorë të Kosovës kanë sqaruar sot se ky institucion ka në posedim material filmike nga kamerat e sigurisë të stacionit policorë të Gjakovës ku shihen zyrtarë policor duke e keqtrajtuar të arrestuarin e dyshuar për vjedhje.
Me kërkesë të IPK-së disa ditë më parë janë suspenduar pesë zyrtarë të policisë përfshirë komandantin Kristë Gjoka.
Ata po hetohen për dyshimet se kanë keqtrajtuar një të arrestuar brenda stacionit të policisë.
Se ngjarja është e filmuar këtë e ka konfirmuar edhe Kryerprokuri i Gjakovës Ali Selimaj.
Ai ka thënë se IPK i ka në posedim materialet filmike dhe se atij i është thënë se kamerat kanë kapur situata të dhunës.
“Ky rast ka të bëjë me suspendim ose me masë disiplinore ndaj tyre dhe filmime e gjëra të tjera i ka IPK-ja, ajo është kompetente”- tha Ali Selimaj.
Kryeprokurori Selimaj theksoi se provat janë në IPK.
“Pavarësisht protestave, e bindjeve të qytetarëve e të tjera në ato filmime shihet ma mir, IPK-ja nuk gabon është strikte” tha Selimaj.
Gjatë ditës në Gjakovë u protestua për përkrahje të komandantit të Policisë, Krist Gjokaj dhe 5 policëve të tjerë.
“Ktheni mbrojtësit tonë në detyrë” ishte njëra nga pankartat që është mbajtur në duar nga protestuesit në Gjakovë. Përveç saj kishte edhe një pankartë tjetër në të cilin shkruhej: Pushteti, Policia, Hajnat.
Komandanti i policisë Krist Gjokaj dhe 5 zyrtarët tjerë janë suspenduar përkohësisht me rekomandim të Inspektoratit Policor, pasi dyshohen se është përdorur dhunë kundër një të dyshuari për grabitje vitin e kaluar.
Protestuesit kanë kërkuar kthimin në detyrë të Komandantit Kristë Gjokaj, dhe oficerëve të lartë të policisë, eprorëve Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi ,dhe policëve Agron Idrizaj, Milot Ukaj, e Shaban Limani.
KALLXO.com kishte monitoruar seancën ku i pandehuri i dyshuar për vjedhje dhe sulm ndaj policisë kishte thënë para gjykatës se nuk po e mbanin këmbët nga goditjet që kishte marrë.
Rasti kishte ndodhur para afër një viti ndërsa filmimet nga stacioni janë marrë së fundmi nga IPK.