Po mbahet ushtrimi fushor i FSK-së, ‘Ujku i Çeliktë’
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë vizituar zonën e trajnimit në Babaj të Bokës, ku është duke u zhvilluar ushtrimi fushor “Ujku i Çeliktë”, në të cilin pritet të bëhet validimi i kapaciteteve operacionale të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (R2K).
“KOMFSK dhe MM janë njohur për së afërmi me aktivitetet që R2K është duke i zhvilluar si dhe fazën në të cilën është aktualisht duke u zhvilluar ushtrimi. Forca e Sigurisë së Kosovës bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit ( PGJT), është duke ngritur kapacitetet operacionale të njësive, bazuar në misionin e tyre”- thuhet në njoftim.
Në kuadër të këtij ushtrimi, thuhet më the në njoftim, do të vlerësohen kapacitetet ushtarake të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë dhe Togut të mbështetjes luftarake të Policisë Ushtarake me qëllim validimin për të qenë të gatshëm në realizimin e detyrave në përmbushjen e misionit.